Opozita: Qeveria Kurti, më e dobëta që ka pasur Kosova

30 qershor 2021 | 14:17

Në 100-ditëshin e qeverisë Kurti, opozita ka drejtuar kritika të shumta për ekzekutivin. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë thënë për “Epokën e re” se gjatë kësaj periudhe kohore qeveria ka treguar mungesë vizioni dhe gatishmërie për t’u përballur me hallet e qytetarëve. Sipas tyre, kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova. Ndërsa njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se në tremujorin e parë të punës qeveria ka ndërmarrë iniciativa që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit, por nuk ka pasur veprime të nevojshme sa i përket zhvillimit ekonomik

Muhamet KOCI

Opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë komentuar në mënyra të ndryshme punën e qeverisë Kurti në tremujorin e parë të punës. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar se gjatë kësaj periudhe qeveria ka treguar mungesë vizioni dhe gatishmëria për t’u përballur me sfidat e shumta të qytetarëve të Kosovës. Ata kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se qeveria Kurti është ekzekutivi më i dobët që ka pasur Kosova deri më tani.

Anëtari i kryesisë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se kjo qeveri asnjëherë nuk ka treguar interesim për zgjidhjet e problemeve të qytetarëve.

“Qeveria në 100 ditët e para ka treguar që është qeveri me mungesë vizioni dhe energjie. Që nga dita e parë nuk ka qenë e interesuar për halle të qytetarëve, por më shumë ka qenë për punësimin e ndonjë nipi a daje. Pra kemi parë një tendencë që t’i kapë të gjithë pushtetet, përfshirë edhe institucionet e pavarura”, është shprehur ai.

Gjoshi ka vlerësuar se qeveria duhet ta kthejë vëmendjen nga hallet e qytetarëve, ta ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike dhe ta rrisë vaksinimin e qytetarëve.

“Duke parë qeverisjen në këto 100 ditë, e cila karakterizohet me një qeverisje të dobët. Pra, një qeverisje edhe më e dobët sesa kanë menduar kritikët, pritjet tona janë të vogla. Ne kërkojmë nga qeveria që të kthejë sytë nga nevojat qytetare, të ndihmojë ekonominë dhe qytetarët, ta rrisë vaksinimin dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë e ta ndalë rehatimin e militantëve dhe ndërhyrjen e presionin tek institucionet e pavarura”, ka thënë Gjoshi.

Anëtari i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valon Murtezaj, ka vlerësuar se puna e deritashme e qeverisë është pa objektiva të qarta, pa dinamikë dhe pa energji.

Sipas tij, kjo qeveri nuk po e konkretizon në punë përkrahjen e madhe që e ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Një fuqi e tillë, me votat në Kuvendin e Kosovës, në rrethana normale qeverisëse, i mundëson qeverisjes të ecë shpejt, pa pengesa për ta realizuar planin qeverisës. Përkundër të gjitha këtyre rrethanave, ajo çfarë po mund të vërejmë është se puna e qeverisë deri tani është pa objektiva të qarta, pa dinamikë dhe pa energji. Do të duhej të ketë dinamikë të madhe në të gjitha fushat, gjë e cila nuk po ndodh dhe të cilën nuk po mund ta konstatojmë”, ka deklaruar Murtezaj për gazetën “Epoka e re”.

Kurse nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka vlerësuar se qeveria Kurti është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova.

 

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo qeveri i ka sjellë Kosovës vetëm regres. “Qeveria Kurti këto 100 ditë të saj ka performancën më të dobët në 100-ditëshin e të gjitha qeverive të kaluara. Ajo ka ardhur me premtime të mëdha për ta përmirësuar jetën e qytetarëve, ndërsa veprimet e saj kanë sjellë regres të madh në mirëqenie. Kujtojmë këtu dy vendimet e qeverisë Kurti për uljen e pensioneve dhe subvencioneve për bujq dhe mos të flasim për politikën e jashtme dhe udhëheqësin e këtij dikasteri”, ka thënë Lekaj, duke përmendur edhe bisedimet me Serbinë.

“Po ashtu, dështimi më i madh është ai i dialogut ku kryeministri harron të gjitha premtimet e tij dhe papritmas përfundon me një tavolinë me Aleksander Vuqiqin. Qeveria Kurti do të jetë qeveria që do t’i dëshpërojë më së shumti qytetarët e Kosovës. Shto këtu procesin e vonuar të vaksinimit dhe mosrespektimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike që ka shtrirë ekonominë e Kosovës në nivelet më të ulëta të saj”, është shprehur Lekaj.

Qëndrime më ndryshe për qeverinë ka dhënë analisti politik Imer Mushkolaj. Ai ka bërë me dije se gjatë kësaj kohe të qeverisjes qeveria Kurti ka ndërmarrë disa iniciativa që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qytetarët presin më shumë rezultate në këtë drejtim. “Pritjet për qeverinë Kurti janë të mëdha. Gjatë kësaj kohe qeveria ka ndërmarrë iniciativa që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit, ndërkohë që nuk ka pasur veprime të nevojshme sa i përket zhvillimit ekonomik. Nëse ata qytetarë që e kanë votuar Kurtin ia kanë dhënë votën për premtimin se ai do ta luftojë korrupsionin, ata presin që Kurti të fokusohet veçanërisht në këtë aspekt. Për këtë shkak edhe qeveria ka qenë më shumë e fokusuar në çështjet si rregullimi ligjor për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vetingu”, ka thënë Mushkolaj. Ai ka vlerësuar se është vështirë që tani të thuhet nëse kjo qeveri do të arrijë t’u përmbahet premtimeve që ka dhënë para qytetarëve.

Sipas tij, gjatë këtyre tre muajve kryeministri Albin Kurti shumë veprime i ka bërë sikurse të paraardhësve.

“Premtimet janë dhënë për një mandat qeverisës. Qeveria Kurti do të përballet me shumë sfida dhe është e vështirë të thuhet nëse do t’u përmbahet premtimeve të dhëna. Qeveria e re nuk duhet të sillet si ato paraprake, nëse dëshiron ta mbajë besimin e qytetarëve. Por, me disa veprime që ka ndërmarrë, sidomos në çështjet si emërimet politike, reciprociteti me Serbinë, dialogu me Serbinë etj., Kurti po tregon se plot veprime e fenomene që dikur i ka kritikuar më të madhe, tash kur është në pushtet po detyrohet t’i ‘përpijë’”, ka thënë Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë detyrën më 23 mars, ndërsa një ditë më parë ai dhe qeveria e tij morën besimin e 67 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kurti qeverinë e tij e ka formuar me partitë e komuniteteve joserbe. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gazmend Syla, ka bërë me…