Opozita serbe rinis protestat, shkaku i vjedhjes së zgjedhjeve dhe vrasjes së pazbardhur të Ivanoviqit
Pas një pauze dy javore, protesta e re e opozitës serbe po mbahet në ditën e vrasjes së politikanit, Oliver Ivanoviqit dhe ka nisur para objektit të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi.
Opozita pretendon se janë vjedhur zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor në nivel parlamentar, lokal dhe Beogradi, raporton N1.
“Mirëmbrëma, njerëz që keni ardhur me dëshirën e tuaj, të papaguar. Fillimisht dua të falënderoj të gjithë ata që më dërguan mesazhe të mrekullueshme, bashkëluftëtarët e mi dhe mjekët që na ndihmuan në këtë luftë”, tha Marinika Tepiq, nënkryetare e Partisë për Liri dhe Drejtësi, e cila prej më shumë se dhjetë ditësh është në grevë urie në ambientet e komisioneve zgjedhore.
Gjithashtu po protestohet edhe për mos zbardhjen e vrasjes së ish-liderit të nismës qytetare “Serbi, Demokraci, Drejtësi”, Ivanoviq, i cili u vra në vitin 2018 në Mitrovicë, para objekteve të partisë së tij.
Ivanoviq kujtojmë se nuk ishte pjesë e listës serbe dhe nën kontrollin e regjimit nga Beogradi ndërsa ende askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë vrasje.
Ndryshe, përkundër deklaratave se Parlamenti Evropian nuk do të diskutojë dhe miratojë asnjë rezolutë në lidhje me makinacionet zgjedhore të presidentit serb, megjithatë, në seancën plenare të atij organi u votua që deputetët e Parlamentit Evropian, më 17 janar të diskutohet për zgjedhjet serbe dhe një rezolutë do të votohet në muajin shkurt.