Opozita shqiptare përmbys sërish sallën e Parlamentit dhe ndez tymues
Deputetët e opozitës kanë vijuar aksionin e tyre për bllokimin e Parlamentit dhe punimeve normale në Kuvend, ku karriget në sallë janë përmbysur të gjitha thuajse, ende pa filluar seanca plenare e 9 nëntorit.
Në një fjalë në median sociale Facebook, ka dalë lideri opozitar, Sali Berisha, i cili duket me në sfond karriget e përmbysura.
Me hyrjen në sallë të deputetëve socialistë, ata nuk kanë pasur karrige ku të ulen dhe rrjedhimisht kanë qëndruar në këmbë, por më pas kanë nisur të marrin karrige nga lozhat e Kuvendit dhe seanca ka filluar.
Veçse, në çastin e hapjes së seancës nga kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, opozita ka ndezur dy tymuese në sallë, duke shkaktuar kaos.
Kjo nuk e pengoi Nikollën të vijonte seancën dhe ajo po kryhet aktualisht në kushte të vështira.
Më herët, Berisha deklaroi se aksioni i ndërmarrë nga demokratët dhe i gjithë spektri opozitar shqiptar, kundër Qeverisë, nuk ka më kthim pas.
Kështu ka bërë me dije ai, gjatë një fjale për media, përpara nisjes së seancës plenare të 9 nëntorit.
Në arsyetimin e Berishës, Rama ka një muaj që nuk hyn në Parlament e nuk respekton Kushtetutën dhe kjo ndodh sepse kryeministri “ka frikë”.
“Dje Edi Rama bëri sikur paraqitej në interpelancë dhe sikur tani i doli papritmas ky problem. Edhe në hënë po u nis, në tokë do zbresë prapë dhe do të marrë atë që meriton”.
Ndër të tjera, ish-kryeministri shqiptar vlerësoi progres-raportin e Komisionit Evropian, i cili do të dorëzohet sot zyrtarisht në Parlamentin shqiptar.
Teksa, mbi konstatimet e raportit, Berisha tha se ai reflekton shkeljet që Qeveria i bën Kushtetutës.