Opozita s’ka pse të bëjë zhurmë, le ta bëjë mocionin nëse i ka numrat
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë të mërkurën se në vendin tonë asnjë institucion e as Kuvendi nuk është duke e luajtur rolin e tij kushtetues.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se zhvillimet e fundit janë treguesi më i mirë se ka rënë spiralja e përfaqësimit dhe niveli i përgjegjësisë dhe i debatit.
“Jo vetëm Kuvendi, por me këtë kulturë politike që është formësuar në Kosovë në përgjithësi e me kulturën e përfaqësimit në veçanti, asnjë institucion, as Kuvendi, nuk mund ta luajë rolin e vet kushtetues. Kjo që e kemi parë që sa kohë është treguesi më i mirë se spiralja e përfaqësimit ka rënë shumë dhe bashkë me të ka rënë edhe niveli i përgjegjësisë dhe i debatit, madje jo vetëm në Kuvend, por edhe përgjithësisht në shoqërinë shqiptare”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se debati i fundit në Kuvend për Luginën e Preshevës u zhvillua për farsë patriotike e jo për zgjidhje politike.
“Kështu si është duke u zhvilluar debati në Kuvendin e Kosovës, nuk është debat për asnjë zgjidhje, se jo më për çështjen e Kosovës Lindore. Sa i përket dialogut, kjo çështje është dashur të jetë pjesë e tij që nga fillimi. Mungesa e kuorumit flet se te ne ka shumë farsë. Këtu debati është duke u zhvilluar për farsë patriotike, jo për zgjidhje politike”, ka theksuar ai.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka kthyer gjendjen e cila ka qenë para se të votohet delegacioni për bisedime.
Madje, sipas Krasniqit, për këtë çështje as që është dashur t’i drejtohej gjykatës. “Gjykata Kushtetuese gjendjen e ka kthyer aty ku ishte para se të votohej delegacioni për bisedime. Prandaj për këtë çështje as që është dashur t’i drejtohej asaj. Por, ‘kur nuk ke çka të bësh, luaje derën’, thotë një fjalë”, ka deklaruar ai.
Krasniqi e ka komentuar edhe paralajmërimin e opozitës për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, me ç’rast ka thënë se opozita nuk duhet të bëjë zhurmë, por nëse i ka votat, duhet ta rrëzojë.
“Opozita nuk ka pse bën zhurmë për këtë çështje. Ajo duhet ta bëjë mocionin nëse i ka numrat”, ka theksuar Krasniqi, duke shtuar se nuk është i kënaqur me zhvillimet politike dhe largimin e të rinjve nga Kosova. “Nëse qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me mënyrën se si qeveriset vendi, atëherë asnjë njeri politik nuk ka mundësi që të jetë i kënaqur kur i sheh të rinjtë e të rejat e këtij vendi të largohen nga atdheu. Nga mënyra se si komunikohet në publik edhe nuk duket se komunikimi është i duhuri, pra lë për të dëshiruar shumë”, është shprehur Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si e vlerësoni punën e Kuvendit gjatë kësaj legjislature dhe a po arrin ta luajë rolin që i takon ky institucion?
Krasniqi: Jo vetëm Kuvendi, por me këtë kulturë politike që është formësuar në Kosovë në përgjithësi e me kulturën e përfaqësimit në veçanti, asnjë institucion, as Kuvendi, nuk mund ta luajë rolin e vet kushtetues.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj periudhe shumë seanca janë ndërprerë në mungesë të kuorumit. Rasti i fundit ishte mosmiratimi i rezolutës për Luginën e Preshevës. Prisni një dinamikë më të madhe të legjislativit në sesionin vjeshtor?
Krasniqi: Kjo që e kemi parë që sa kohë është treguesi më i mirë se spiralja e përfaqësimit ka rënë shumë dhe bashkë me të edhe niveli i përgjegjësisë dhe i debatit, madje jo vetëm në Kuvend, por përgjithësisht në shoqërinë shqiptare.
“Epoka e re”: Si e keni parë debatin për Luginën dhe cila mendoni se është rruga e duhur që Kosova, por edhe Shqipëria, t’i ndihmojë këto tri komuna shqiptare. Është kërkuar që kjo çështje të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi dhe një përfaqësues i saj të jetë pjesë e delegacionit të bisedimeve mund të ndodhë kjo apo do të mbetet vetëm çështje deklarative?
Krasniqi: Kështu si është duke u zhvilluar debati në Kuvendin e Kosovës, nuk është debat për asnjë zgjidhje se jo më për çështjen e Kosovës Lindore. Sa i përket dialogut, kjo çështje është dashur të jetë pjesë e tij që nga fillimi. Mungesa e kuorumit flet se te ne ka shumë farsë. Këtu debati është duke u zhvilluar për farsë patriotike, jo për zgjidhje politike.
“Epoka e re”: Pas zhvillimeve të fundit, përkatësisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e ka shpallur jokushtetues Ligjin për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, si e shihni vazhdimin e dialogut?
Krasniqi: Gjykata Kushtetuese gjendjen e ka kthyer aty ku ishte para se të votohej delegacioni për bisedime. Prandaj për këtë çështje as që është dashur t’i drejtohej asaj. Por, ‘kur nuk ke çka të bësh, luaje derën’, thotë një fjalë.
“Epoka e re”: Opozita të martën ka paralajmëruar se së shpejti do të ngrehë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj. Mendoni se opozita mund t’i sigurojë edhe tri vota për t’u arritur synimi i saj, rrëzimi i qeverisë?
Krasniqi: Opozita nuk ka pse bën zhurmë për këtë çështje. Ajo duhet ta bëjë mocionin nëse i ka numrat.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, sa jeni i kënaqur me bashkëqeverisjen e deritashme dhe cili është bashkëpunimi aktual mes partnerëve të koalicionit qeverisës?
Krasniqi: Nëse qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me mënyrën se si qeveriset vendi, atëherë asnjë njeri politik nuk ka mundësi të jetë i kënaqur kur i sheh të rinjtë e të rejat e këtij vendi të largohen nga atdheu. Nga mënyra se si komunikohet në publik, nuk duket se komunikimi është i duhuri, pra lë për të dëshiruar shumë.
/Shqipe HETEMI/