Opozita synon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e qeverisë
Përfaqësuesit e dy subjekteve opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LV), kanë bërë me dije se janë duke punuar për t’i siguruar 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e qeverisë.
Megjithatë, ata kanë vlerësuar se ky proces nuk do të jetë i lehtë ani pse, sipas tyre, ekzistojnë 100 arsye pse duhet rrëzuar Qeveria Haradinaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Ismajl Kurteshi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo parti e ka seriozisht synimin për rrëzimin e qeverisë aktuale mirëpo, sipas tij, deri më tani partitë opozitare nuk kanë arritur t’i sigurojnë 61 vota për ta bërë një gjë të tillë.
“Opozita e ka këtë detyrë dhe përherë e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë si dhe ardhjen në pushtet. Por, natyrisht për të ndodhë një gjë e tillë duhen numrat dhe, sa di unë, ende nuk i kemi numrat e nevojshëm, pra 61 sosh. Atë ditë që do t’i kemi numrat do ta kërkojmë mocionin e votëbesimit për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Sidoqoftë, përherë ka gjasa dhe nuk duhet humbur shpresën sepse jemi duke punuar në atë drejtim në mënyrë që sa më shpejt ta rrëzojmë këtë qeveri”, ka deklaruar Kurteshi.
Mirëpo zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar se kjo parti vetëm për çështjen e taksës nuk do ta rrëzonte Qeverinë Haradinaj.
Sipas Kurteshit, vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake është hap i drejtë dhe qeveria e ka mbështetjen e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë aspekt.
“Janë 100 arsye pse duhet të rrëzohet qeveria aktuale, por vetëm për taksën ndaj Serbisë ne nuk e rrëzojmë qeverinë. Për taksë mendojmë se është shumë hap i drejtë dhe e përkrahim në këtë aspekt qeverinë”, është shprehur Kurteshi.
Për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës ka folur të dielën edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Ai ka bërë me dije se LDK-ja do ta procedojë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj në momentin që do t’i sigurojnë 61 vota të deputetëve të Kuvendit.
“LDK-ja do të procedojë me mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë së PAN-it në momentin që sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës, por nuk pranon asnjë kushtëzim nga askush”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Deklaratave për rrëzimin e qeverisë iu është kundërpërgjigjur nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Pavarësisht prej kërcënimeve të opozitës dhe të Listës Serbe, ai ka thënë se Qeveria Haradinaj do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës.
Sipas Lekajt, deputetët serbë duhet ta trajtojnë me seriozitet detyrën e deputetit dhe t’i lënë anash kërcënimet.
“Nëse deputetët e Listës Serbe kanë vendosur ta presin seancën për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, atëherë pritja për ta do të zgjasë deri në përfundim të këtij mandati. Prandaj, u bëj thirrje ta trajtojnë me seriozitet detyrën e deputetit dhe t’i lënë anash kërcënimet”, ka shkruar Lekaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/