Opozita ta orientojë opozitarizmin jashtë Kuvendit
Analisti politik Behxhet Shala ka bërë me dije se subjektet opozitare nuk janë duke e sfiduar qeverinë Kurti.
Ai ka thënë se numrat e paktë në Kuvend të subjekteve politike opozitare pamundësojnë rrezikimin e qeverisë brenda Kuvendit.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Shala ka thënë se opozita duhet ta orientojë aktivitetin opozitar jashtë Kuvendit.
“Partitë opozitare nuk janë duke bërë kurrfarë opozite. PDK-ja është larg të bërit opozitë konstruktive dhe konkurruese. LDK-ja duket se ka rënë në gjumë. AAK-ja ka pak vota në Kuvend për të bërë opozitë. E vetmja parti që deri më tani po bën opozitë është PSD-ja. Po e them me përgjegjësi se opozita edhe nëse bëhet bashkë nuk ka mundësi të bëjë një aktivitet opozitar brenda Kuvendit sepse nuk i ka numrat e duhur. Opozita duhet ta orientojë aktivitetin opozitar jashtë Kuvendit”, ka thënë Shala.
Ai ka ftuar subjektet politike opozitare që të koordinohen mes vete dhe ta bëjnë një platformë të përbashkët për ta kundërshtuar qeverinë. “Këto parti duhet të ulen të bisedojnë dhe të përpiqen të hartojnë një platformë të bashkëpunimit të veprimit opozitar. Në këtë platformë duhet të përfshihen proceset që e presin Kosovën, si dialogu me Serbinë, pandemia, rimëkëmbja ekonomike etj”, është shprehur ai.
Shala ka thënë se qeveria shumë shpejt duhet ta paraqesë planin qeverisës. Ai ka thënë se në kushtet që është Kosova nuk duhet të pritet shumë nga kjo qeveri. “Në rrethanat ekzistuese as pritjet e mia nuk janë të mëdha sepse nuk ka kushte ekonomike që të realizohen ato që i ka premtuar Kurti në fushatë sepse edhe vendeve me ekonomi të zhvilluar pandemia ua ka pamundësuar çdo plan zhvillimor. Qeveria e re duhet ta bëjë një riprogramim të premtimeve që i ka dhënë. Pra në përputhje me zhvillimet ekonomike dhe politike të caktojë të tjera prioritete sepse nuk ka mundësi t’i realizojë premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Shala.
Ai ka treguar se sfidë e vërtetë e kësaj qeverie do të jetë dialogu me Serbinë. “Kurti ka trashëguar shumë probleme nga procesi i dialogut. Ai tani duhet të merret me rikuperimin e atyre problemeve. Dihet që Albin Kurti nuk mund t’i kundërshtojë marrëveshjet ndërkombëtare. Siç dihet, ato janë të panegociueshme për ndërkombëtarët dhe të pakthyeshme. Tani të gjithë po e përmendin një marrëveshje me Serbinë, por gjithnjë po përmendet kompromisi. Ende nuk dihet se çfarë përmban ai kompromis”, ka thënë Shala.
“Epoka e re”: Z. Shala, po bëhet një muaj që qeveria Kurti ka marrë detyrën, por ende nuk e ka paraqitur planin qeverisës. Si e ke parë punën e kësaj qeverie deri më tani?
Shala: Një muaj është kohë e shkurtër për ta vlerësuar punën e një qeverie. Për të bërë një vlerësim fillestar të punës së qeverisë së pari duhen parë ato 100 ditët e punës së saj. Albulena Haxhiu ka bërë me dije se planin e tyre qeverisës do ta dorëzojnë të premten dhe të shohim se si do të jetë ky plan. Ne jemi në një situatë të jashtëzakonshme, pra në një situatë të tillë nuk mund të presësh rezultate të shpejta dhe nuk mund të sillesh në mënyrë të zakonshme. Kjo qeveri e ka trashëguar një gjendje të vështirë për shkak të pandemisë e cila ka vështirësuar jetën në të gjitha aspektet. Prioritete të kësaj qeverie duhet të jenë lufta ndaj pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike. Nëse qeveria Kurti brenda një afati prej dy javësh nuk e paraqet programin qeveritar atëherë nuk do të jetë në rregull. Kurti gjatë fushatës zgjedhore në pika të shkurtra i ka treguar synimet dhe objektivat e tij. Qeveria duhet të gjejë mënyra se si t’u ndihmojë bizneseve dhe qytetarëve të prekur nga pandemia.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tua nga kjo qeveri?
Shala: Gjatë fushatës zgjedhore çdo parti jep premtime të cilat e dinë se nuk do të mund t’i realizojnë. Nga premtimet që i ka dhënë Kurti në fushatën zgjedhore pritjet janë të mëdha dhe në bazë të atyre pritjeve ka fituar mbi 50 për qind të votave. Tani ai duhet ta gjejë një mënyrë se si t’i realizojë ato premtime. Natyrisht se të gjitha ato premtime nuk do të realizohen, por prioritete duhet të jetë pandemia, rimëkëmbja dhe hapja e vendeve të reja të punës. Pavarësisht prej premtimeve që ka dhënë, problemi do të jenë bisedimet me Serbinë, sepse këtu nuk do ta këtë përkrahjen e opozitës. Në rrethanat ekzistuese as pritjet e mia nuk janë të mëdha, sepse nuk ka kushte ekonomike që të realizohen ato që i ka premtuar Kurti në fushatë, sepse edhe vendeve me ekonomi të zhvilluar pandemia ua ka pamundësuar çdo plan zhvillimor. Qeveria e re duhet ta bëjë një riprogramim të premtimeve që i ka dhënë. Pra, në përputhje me zhvillimet ekonomike dhe politike, të caktojë të tjera prioritete, sepse nuk ka mundësi t’i realizojë premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
“Epoka e re”: Edhe opozita po e kritikon qeverinë Kuti. Cili është vlerësimi juaj për aktivitetin e deritanishëm të opozitës?
Shala: Partitë opozitare nuk janë duke bërë kurrfarë opozite. PDK-ja është larg të bërit opozitë konstruktive dhe konkurruese. LDK-ja duket se ka rënë në gjumë. AAK-ja ka pak vota në Kuvend për të bërë opozitë. E vetmja parti që deri më tani po bën opozitë është PSD-ja. Po e them me përgjegjësi se opozita edhe nëse bëhet bashkë nuk ka mundësi të bëjë një aktivitet opozitar brenda Kuvendit sepse nuk i ka numrat e duhur. Opozita duhet ta orientojë aktivitetin opozitar jashtë Kuvendit. Gjithashtu, këto parti duhet të ulen të bisedojnë dhe të përpiqen të hartojnë një platformë të bashkëpunimit të veprimit opozitar. Në këtë platformë duhet të përfshihen proceset që e presin Kosovën, si dialogu me Serbinë, pandemia, rimëkëmbja ekonomike etj.
“Epoka e re”: Mendoni se kjo opozitë nuk do të mund ta sfidojë këtë qeveri?
Shala: Kështu siç po bën opozita, qeveria Kurti nuk do të jetë e rrezikuar. Tani për tani vetëm emrin e ka opozitë dhe nuk është duke bërë asgjë. Është pritur që të bëhet një opozitë krejt tjetër. Kjo opozitë me asgjë nuk mund ta rrezikojë Kurtin dhe qeverinë e tij. Qeverinë aktuale mund ta rrezikojë vetëm Kurti nëse i has sharra në gozhdë gjatë bisedimeve me Serbinë ose nëse ai vetë nuk dëshiron ta zgjasë qeverisjen dhe dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja.
“Epoka e re”: Pritet që shumë shpejt do të fillojë dialogu Kosovë – Serbi. Presidenti amerikan ka paralajmëruar se në këtë proces duhet të bëhen kompromise. Do të ndryshojë diçka në këtë proces?
Shala: Kurti ka trashëguar shumë probleme nga procesi i dialogut. Ai tani duhet të merret me rikuperimin e atyre problemeve. Albin Kurti nuk mund t’i kundërshtojë marrëveshjet ndërkombëtare. Siç dihet, ato janë të panegociueshme për ndërkombëtarët dhe të pakthyeshme. Tani të gjithë po e përmendin një marrëveshje me Serbinë, por gjithnjë po përmendet kompromisi. Ende nuk dihet se çfarë përmban ai kompromis. Pra, a përbën asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili skajshmërisht e bën Kosovën jofunksionale apo përmban ndryshimin e kufijve. Për atë dokumentin slloven shumëkush po thotë se ka përmbajtje joserioze, por ata e lëshojnë një përmbajte joserioze për ta testuar opinionin dhe pastaj ta prezantojnë në formën ‘merre ose lëre’. Vetë fakti që Kosova është në defansivë dhe Serbia ka një avantazh të madh politik e diplomatik, tregon një paralajmërim jo të mirë për këtë proces.
(Muhamet Koci)