Opozita thërret në interpelancë kryeministrin për rritjen e pagave të qeveritarëve
Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të enjten ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për kryeministrin Ramush Haradinaj lidhur me vendimin e Qeverisë (nr. 04/20 të datës 20.12.2017) për rritjen e pagave në kabinetin qeveritar.
Në komunikatën e kësaj partie është thënë se deputetët e grupit parlamentar të LDK-së në këtë interpelancë do të kërkojnë nga kryeministri Haradinaj anulimin e menjëhershëm të vendimit të kundërligjshëm për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar si dhe sjelljen në Kuvend për aprovim, në afat sa më të shkurtër të mundshëm, të Ligjit për pagat e sektorit publik.
Lidhja Demokratike e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike, papunësinë dhe nivelin e pagave në vend, e ka vlerësuar të papranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon.
“Vendimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm, i paanalizuar dhe krijon një diskrepancë të madhe në mes të të ardhurave të qytetarëve, të ardhurave të të punësuarve të tjerë në sektorin publik me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Me këtë vendim, diferenca në paga në mes të zyrtarëve të kabinetit qeveritar dhe një shërbyesi civil është rritur nga 1 me 4 dhe nga 1 me 8. Kjo diskrepancë është shumë më e madhe për ata që marrin pensione apo ndihma sociale, apo edhe me pagën mesatare në sektorin privat”, është thënë në komunikatën e grupit parlamentar të LDK-së.
Sipas kësaj partie, vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar i tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2017, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, ka marrë vendim për rritjen e pagës për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar. Ky vendim i tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila në asnjë dispozitë nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagës për kryeministrin, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeverisës”, është theksuar në këtë komunikatë.
Po gjatë ditës së enjte edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albulena Haxhiu, ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë shtetërorë, pagën minimale dhe pagesat e skemës sociale. Me këtë rast Haxhiu ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që sa më parë dhe me prioritet të lartë ta caktojë në rendin e ditës këtë kërkesë për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj teme dhe shqetësimit të madh të qytetarëve.
Deputetja Haxhiu ka bërë me dije se do ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese vendimin, siç ka thënë ajo, joligjor dhe të padrejtë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë politikë.
Kryeministri Ramush Haradinaj më 20 dhjetor të vitit të kaluar pati marrë vendim për rritjen e pagës së tij, të zëvendëskryeministrave, të ministrave dhe të zyrtarëve të tjerë qeveritarë.
Me këtë vendim paga mujore e kryeministrit është 2 950 euro, kurse ajo e zëvendëskryeministrave 2 500 euro.
Ministrave u është caktuar paga bruto prej 2 000 eurosh, ndërsa zëvendësit e tyre do të paguhen me nga 1 150 euro në muaj. Ndërkohë, shefit të stafit të kryeministrit dhe këshilltarit të lartë politik të kryeministrit u është caktuar paga prej 1 670 eurosh.
Këshilltarëve politikë të kryeministrit u është caktuar paga 1 340 euro. Këshilltarët e lartë politikë të zëvendëskryeministrave do të paguhen me nga 1 200 euro në muaj, kurse këshilltarët e zëvendëskryeministrave nga 1 100 euro. Ndërsa këshilltarëve të lartë politikë të ministrave u është caktuar paga 1 050 euro. E këshilltarët e ministrave do të paguhen 800 euro.