Opozitarët rusë në mërgim, marshim kundër Putinit në Berlin

14 nëntor 2024 | 21:06

Berlini është kthyer në një qendër të opozitës ruse, në vitet pas sulmit në shkallë të gjerë të Presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Anëtarët e opozitës ruse që ndodhen në mërgim, po planifikojnë të zhvillojnë një marshim masiv të dielën në kryeqytetin gjerman, duke kërkuar tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, ndjekjen penale të Putinit si kriminel lufte dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë.

Demonstratat e fundit të mëdha kundër luftës së Rusisë në Ukrainë u zhvilluan në Moskë në mesin e vitit 2022.

Që atëherë, Kremlini ka shtypur me forcë çdo përpjekje për të kundërshtuar sulmin kundër Ukrainës.

Aktivistët e opozitës janë larguar nga vendi dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur Berlinin si shtëpinë e tyre të re.

Në kryeqytetin gjerman ata kanë lirinë të shprehin mendimet e tyre dhe kjo është ajo që ata po planifikojnë të bëjnë të dielën.

“Brenda Rusisë, për fat të keq, nuk ka asnjë mundësi për të organizuar një marshim të tillë, të flasësh kundër Putinit apo kundër luftës, sepse Vladimir Putini është një diktator gjakatar. Për aq sa ai është në pushtet, lufta do të vazhdojë”, thotë Olga Galkina, organizatore e protestës.

Në krye të protestës do të jenë figura të njohura të opozitës, si kritiku i Putinit Vladimir Kara-Murza dhe politikani në mërgim Ilya Yashin.

Aty do të jetë edhe Yulia Navalnaya, e cila së funmdi i tha një televizioni britanik se synon të ndjekë hapat e bashkëshortit të saj të ndjerë, Alexey Navalny, i cili ishte udhëheqës de-fakto i opozitës ruse deri në vdekjen e tij në një burg rus në shkurt.

“Nëse kthehem në Rusi, do të marr pjesë në zgjedhje”, tha politikania opozitare ruse.

Opozita demokratike e Rusisë historikisht ka qenë e ndarë. Por tani, organizatorët e marshimit thonë se ata po i lënë mënjanë dallimet që kanë dhe po bashkohen kundër Putinit.

“Tani për tani, të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: që Putini të dënohet për krime lufte dhe që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur”, thotë zonja Galkina.

Marshimi do të zhvillohet mes shqetësimeve të opozitarëve rusë në mërgim mbi planet e administratës së re amerikane.

Organizatorët e protestës frikësohen se premtimi gjatë fushatës i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund ta favorizojë Putinit, duke ia lehtësuar ruajtjen e pushtetit udhëheqësit rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një plumb i vetëm i mori jetën Eduart Reçit, që…