Opozitari serb sulmon ambasadorin Hill: Po mbështet grupin kriminal të Vuçiç
Drejtuesi i një prej partive opozitare në Serbi ka lëshuar akuza të forta ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, duke thënë se ai po mbështet qartazi grupin kriminal të Aleksandër Vuçiç.
Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi, Dragan Gjilas tha se diplomati amerikan Christopher Hill heshti për parregullsitë në zgjedhje dhe ndikoi që opozita të merrte pjesë në zgjedhjet e vjedhura në Beograd.
“Në dhjetor, Hill heshti për vjedhjen e votave, presionin ndaj votuesve, numrin e madh të votuesve me vendbanim të rremë. Ai deklaroi se mezi pret vazhdimin e bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiç dhe i tha opozitës që të heqë dorë nga lufta dhe të ulet në shtëpi. Ai kaloi muajt në vijim për të bindur një pjesë të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura të vjedhura në Beograd”, tha Gjilas.
“Tani ai thotë se nuk është i rëndësishëm mendimi i vëzhguesve nga misioni i ODIHR-it, të cilët përmendën një sërë parregullsish. Ai nuk përmend se në zgjedhjet e Beogradit dolën 210 mijë votues më pak se në muajin dhjetor, se tre nga katër partitë më të mëdha opozitare nuk morën pjesë, se asnjë nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it nuk u zbatuan”, tha Gjilas.