Opozitës i dorëzohet draft-statuti i Asociacionit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pranuar dje nga Bashkimi Evropian një kopje të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.
“Dje e kemi pranuar zyrtarisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë ajo për “Tëvë1”.
Një kopje në gjuhë angleze të draft-statutit të Asociacionit e ka pranuar dje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili.
“Po. Dje na është dorëzuar një kopje e draft-statutit të Asociacionit, në gjuhën angleze”, ka thënë ai.
Edhe nga PDK-ja e kanë konfirmuar paranimin e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më 21 tetor, diplomatët euro-amerikanë i kanë propozuar Kosovës dhe Serbisë një draft-statut të Asociacionit, për të cilin kryeministri kosovar Albin Kurti është shprehur i gatshëm ta nënshkruajë së bashku me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar atë.
Ky draft-statut nuk është bërë ende publik për opinionin.