Oprah Winfrey mendon kandidimin për presidente të SHBA
Oprah Winfrey po mendon në mënyrë aktive të kandidojë për presidente. Kjo është konfirmuar për CNN-in nga dy miq të afërt të saj, që kanë kërkuar të mbeten anonim, në mënyrë që të flasin lirshëm.
Lajmi vjen pas fjalimit të jashtëzakonshëm të Winfrey në ceremoninë e “Golden Globes”, që i ndezi edhe më shumë zërat për një kandidim të mundshëm të saj në vitin 2020.
“Disa persona të besuar të saj i kanë kërkuar prej kohësh të kandidojë, – thonë burimet, – dhe këtë e bëjnë prej muajsh. Por duket se vet Oprah nuk e ka mbledhur mendjen”.
Gara e demokratëve për presidentin/en nuk do të nisë zyrtarisht deri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit të këtij viti, por shumë kandidatë të mundshëm janë ravijëzuar për këtë pozicion, e madje edhe kanë nisur punën.
“Winfrey president” ishte togfjalëshi dominues në botën e argëtimit, pasi ajo mori çmimin “Cecil B DeMille” në “Golden Globes”, dhe “Oprah për presidente” ishte një histori kryesore në emisionet e mëngjesit në televizione.
Shtylla e fjalimit të saj në “Golden Globes” ishte lëvizja “#MeToo”, por mesazhi i saj plot shpresë, “Një ditë e re po agon”, mund të jetë perceptuar nga shumëkush edhe si një ftesë për fushatë.
Siç kanë nënvizuar disa strategë politikë, vitin e shkuar, fama dhe pasuria e saj mund ta bëjnë Winfrey një kandidate të shkëlqyer të Partisë Demokratike. Por ka edhe dyshime po ashtu…
A do të zgjidhnin amerikanët një yll televizioni për presidente…dy herë radhazi? Për momentin ka vetëm zëra, por fansat e saj dëshmuan se duan që gjithçka të bëhet realitet në Twitter dhe Facebook, pas fjalimit në “Golden Globes”.
Edhe vet partneri i hershëm i saj, Stedman Graham tha se kandidimi është një mundësi. “Është në dorë të njerëzve, – tha ai, – por ajo absolutisht do ta bënte këtë”.(topchannel)