Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme, proces i vështirë për shkak të situatës me pandeminë
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka komentuar situatën e fundit politike në vend nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja apo drejt formimit të një qeverie të re.
Gashi ka thënë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se të dy opsionet janë të mundshme.
Ai ka theksuar se tanimë po shihet se ka lëvizje më shumë në drejtim të krijimit të një qeverie të re.
“Tani edhe opsioni i zgjedhjeve të reja por edhe opsioni i krijimit të një shumice të re parlamentare nga e cila do të dalë një koalicion i ri qeverisës mbetën si dy opsione të mundshme. Por, siç e thamë, ka lëvizje më shumë në drejtim të krijimit të një qeverie të re, nëse kësaj i hap rrugë mendimi i Gjykatës Kushtetuese. Opsioni i zgjedhjeve të parakohshme bëhet paksa i vështirë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Nëse vendi menjëherë nuk mund të shkojë në zgjedhje kjo nënkupton se nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga një parti e pakicës parlamentare e cila për më shumë është e shkarkuar me shumicën e 2/3 të deputetëve. Nga ana tjetër, nëse nuk ka konsensus politik të deputetëve për vet shpërndarje të parlamentit atëherë opsioni i krijimit të një qeverie të re që ka shumicë parlamentare, (nëse këtë e lejon Gjykata Kushtetuese, me vendimin që do të sjell), duket veprim më legjitim”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar edhe për detyrat që e presin qeverinë e re.
“Qeveria e re, cilado qoftë ajo, duhet të rikthehet në tavolinën e dialogut, të rikuperoj marrëdhëniet e mira më Uashingtonin, të bashkëpunojë ngushtë edhe me Brukselin dhe vendet e fuqishme të BE-së, në të mirë të forcimit të shtetësisë së Kosovës. Qeveria e re duhet të krijojë një frymë të re të bashkëpunimit me opozitën dhe me presidentit sa i takon ecjes në procesin e dialogut. Duhet të shmang protagonizmin që qeveria e kaluar e impononte në këtë proces dhe të shmang rivalitetin qeveri-presidencë, sepse në politikën e jashtme të dy palët kanë mandat kushtetues”.
“Në këtë proces duhet të rritët edhe roli i parlamentit, përmes pjesëmarrjes në ekipin negociator të përfaqësuesve të tij. Qeveria e re krahas dialogut duhet të riaktivizojë diplomacinë që procesin e lobimit dhe arritjes së njohjeve të reja, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe nisma ndërkombëtare të lëviz nga një stagnim i plotë që ka ndodhur në dy-tre vitet e fundit”, ka thënë Gashi.
(Muhamet Koci / Epoka e re)