Optimizëm nga Brukseli për çështjen e Kartonit të Gjelbër
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ka takuar në Bruksel sekretaren e Byrosë Ndërkombëtare të sigurimeve, Greet Flore, për çështjen e lëvizjes së lirë të automjeteve nga dhe në Kosovë.
“Ishte një takim i frytshëm. U dakorduam që për automjetet të cilat vijnë në Kosovë dhe ato që dalin nga Kosova të gjendet rrugë praktike për të zgjidhë pengesat. Sot mora konfirmimin nga znj. Flore se Byroja nuk do të kundërshtojë zgjidhjet që Kosova mund t’i arrijë nëpërmjet memorandumeve bilaterale me shtetet anëtare të Kartonit të Gjelbër. Tani topi është tek ne, institucionet e Kosovës dhe Byrosë se Sigurimeve që të ofrojnë zgjidhje praktike”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të asistojë për lehtësimin e qarkullimit të automjeteve nga Kosova dhe anasjelltas.
Ndërkaq sekretarja Flore ka rekomanduar që të përfundohen memorandumet me shtetet fqinje. Po ashtu, Flore u informua që procesi i blerjes online të policave kufitare për veturat që udhëtojnë nga shtetet tjera të Evropës për në Kosovë do të fillojë së aplikuari brenda muajit shkurt.