ORA E HISTORISË

19 mars 2021 | 17:35

Prof. dr. Agim Vinca

Homazh mësuesit patriot, Selim Berisha (1950-1999), që u bë edhe vetë pjesë e historisë

Sot e 22 vjet më parë, më 20 mars të vitit 1999, kur Kosovës i kanosej një hekatombë e re nga pasardhësit e ardhacakëve të dikurshëm të Karpateve, në fshatin Drenofc dhe Barilevë të Prishtinës ndodhi një ngjarje e pazakontë, që do të mbahet mend brez pas brezi: në një luftë krejtësisht të pabarabartë me makinerinë luftarake të ushtrisë serbe, ra heroikisht Dëshmori i Kombit prof. Selim Berisha.

Deri atë ditë prof. Selim Berisha, arsimtar i historisë në Shkollën Fillore “Ali Kelmendi” të këtij fshati, ua kishte mësuar nxënësve të vet historinë, kurse atë ditë kishte vendosur (e kishte bërë mendjen top) të hynte vetë në të; të bëhej pjesë e historisë më të re të Kosovës.

Deri atë ditë prof. Selim Berisha u kishte folur nxënësve të vet për Skënderbeun e Ismail Qemailin, për Mic Sokolin e Sefë Kosharen, për Bajram Currin e Hasan Prishtinën, për Çerçiz Topullin e Themistokli Gërmenjin, për Azem e Shotë Galicën dhe sa e sa heronj të tjerë të kombit, përfshirë këtu edhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, kurse atë ditë kishte vendosur (e kishte bërë mendjen top) ta linte ditarin e mësuesit të historisë dhe të hynte edhe vetë në analet e saj, duke u radhitur në radhët e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës; në radhët e atyre që ne ua kemi borxh këtë grimë liri që gëzojmë sot.

Dhe, ashtu ndodhi. Në mëngjesin e 20 marsit, kur regjimi kriminal i Beogradit, që pas refuzimit të Marrëveshjes së Rambujesë dhe si rezultat i forcimit të UÇK-së po sillte përforcime të reja në Kosovë, ndërmjet një ekspedite ndëshkuese ndaj katër fshatrave të Prishtinës, Drenofc, Barilevë, Breznicë dhe Prugovc, prof. Selim Berisha bëri një sfidë të rrallë, një gjest të denjë për respekt: aktin e rezistencës individuale kundër okupatorit. Edhe pse pa ndonjë përgatitje të madhe ushtarake dhe pa pajimet e duhura për luftë moderne, ai vendosi t’u dilte përballë forcave ushtarako-policore serbe dhe të luftonte me to deri në pikën e fundit të gjakut. Ai vetëm, kurse ato me qindra e mijëra; ai me një pushkë të thjeshtë e ca municion, kurs ato me tanke e autoblinda!

Prof. Selim Berisha, sigurisht, ishte i vetëdijshëm se nuk mund ta fitonte këtë betejë tmerrësisht të pabarabartë, por ai kishte vendosur të mos dorëzohej i gjallë. As epërsia e madhe e kundërshtarit e as lebetitjet e fëmijëve dhe vaji i nënave nuk e ligështuan prof. Selimin. I barrikaduar në shtëpinë e vet, ai luftoi plot dy orë me makinerinë ushtarako-policore të okupatorit derisa ra në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, me shpresë se gjaku i tij do të ishte një kontribut i vogël në përpjekjet shekullore të këtij populli për të dalë nga zgjedha e robërisë.

Do thënë menjëherë se akti heroik i prof. Seli Berishës nuk ishte një veprim i rastit e as trill i një njeriu aventurier. Jo. Aspak. Ishte një veprim plotësisht i vetëdijshëm; veprim i një njeriu që luftën për liri e kishte filluar shumë kohë më parë, duke e zhvilluar atë në shumë fronte – si mësimdhënës, si veprimtar, si publicist, si atdhetar. Flijimi i 20 marsit në Drenofc të Prishtinës ishte akt i një njeriu me vetëdije të lartë kombëtare dhe politike, akt i një veprimtari e atdhetari të vërtetë, i cili ishte thellësisht i bindur se liria nuk fitohet ndryshe pos me gjak e sakrifica sublime.

Aktet e tilla të rezistencës individuale përballë furisë së pushtuesve nuk janë të panjohura në kujtesën kolektive. Te romani i njohur i Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më e famshmja vepër e letërsisë shqipe, ka një personazh që quhet Nik Martini. Është një personazh episodik, por që mbahet mend gjatë, sepse është personazh simbol. Kur merr vesh se trupat pushtuese po zbarkonin nga deti, malësori Nik Martini kap pushkën dhe del në breg të luftojë kundër tyre ose, si thotë ai, “të qesë pushkë”. Natyrisht, vetëm, duke bërë një rezistencë dasmorësh në pika të ndryshme. Kur i mbarohen fishekët, malësori trim Nik Martini, për të cilin në roman thuhet se nuk ka varr, por vetëm një këngë, ngrihet në këmbë e lëshon një vikamë të fortë dëshpëruese për fatin e atdheut, derisa korret nga plumbat e grihet nga kamat.

Dikush mund të thotë me të drejtë se ky krijim artistik është pjellë e imagjinatës së shkrimtarit. Dhe, ashtu është. Por, akti i Mujo Ulqinakut, një kapteri të thjeshtë të Ushtrisë shqiptare (me origjinë nga Ulqini), i cili më 7 prill 1939, në Durrës, bëri pothuajse i vetëm një rezistencë shembullore kundër trupave fashiste italiane që po zbarkonin në Shqipëri, edhe pse komandanti i tij supreme, NMT Zog I, e kishte braktisur jo vetëm frontin, por edhe Atdheun, a nuk është një gjest me përmasa pak a shumë të ngjashme, mitike-legjendare, si ai i Nik Martinit të romanit? Nuk ka dyshim se po.

78 vjet më vonë, në një kohë tjetër dhe në rrethana krejtësisht të tjera, prof. Selim Berisha i Drenofcit të Prishtinës, edhe pse me profesion mësues e jo ushtarak, do ta përsërisë në mënyrën e vet epopenë e Nik Martinit e të Mujo Ulqinakut. Duke mos dashur të largohet nga shtëpia dhe fshati i tij si shumë të tjerë, ai lufton vetëm, dy orë të plota, me trupat serbe që po bëheshin gati për qërim përfundimtar të hesapeve me shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, prof. Selim Berisha, edhe pse ishte vetëm, nuk ishte i vetmuar.

Ky nuk është një paradoks poetik, por një fakt historik. Jo larg pikës nga e cila ai bënte aktin e rezistencës së vet individuale, në malet e Drenicës, të Llapit e të Dukagjinit dhe të krejt Kosovës, por edhe brenda në fshatra dhe qytete, vepronte një forcë ushtarake, politike dhe morale, e cila luftonte në mënyrë të organizuar për lirinë e Kosovës. Kjo forcë, që tanimë e njihte bota mbarë, që quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe, kishte arritur të legjitimohej dhe, si e tillë, të bëhej partnere serioze e bashkësisë ndërkombëtare në tryezën e bisedimeve dhe aleate në front e fuqisë më të madhe ushtarake në botë, Aleancës Veriatlantike. Ishte UÇK-ja legjendare ajo që e kishte çuar larg zërin e Kosovës dhe kishte frymëzuar edhe aktin e rezistencës individuale të prof. Selim Berishës.

Mësuesi atdhetar i Drenofcit dhe mbarë Shqiptarisë, prof. Selim Berisha, që kishte kryer studimet e historisë në Universitetin e Prishtinës dhe që kishte derdhur vite me radhë mundin dhe djersën e tij për edukimin e brezit të ri, konsideronte se pas gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë, sidomos me farsën e rezistencës paqësore dhe të mbjelljes sistematike të frikës nga armiku në popull, edhe në këtë mënyrë mund ta lante borxhin ndaj Atdheut, duke i treguar botës se shqiptarët janë njerëz që jo vetëm dinë të ikin nga shtëpitë e veta, natyrisht si pasojë e dhunës, por edhe të vdesin në prag të tyre.

Tri ditë para se forcat e NATO-s t’i lëshonin bombat e para mbi caqet ushtarake serbe, për ta ndalur agresorin që synonte të bënte gjenocid mbi një popull të tërë në fund të shekullit XX dhe në mes të Evropës, prof. Selim Berisha bëri aktin e sakrificës sublime: ra duke luftuar me pushkë në dorë në prag të shtëpisë.

“Doemos do vdesim në shtrat në mos rënçim në prag të shtëpive tona”, thoshte i madhi De Radë në njërën nga poemat e veta të mëdha historike kushtuar Motit të Madh.

I edukuar në këtë frymë, mësuesi i historisë, prof. Selim Berisha, i cili 25 vjet rresht e kishte ligjëruar këtë lëndë para nxënësve të vet, zgjodhi alternativën e rënies në prag të shtëpisë, të këtij simboli të madh, universal, të jetës, ekzistencës dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë mënyrë ai mbajti orën e vet të fundit të historisë, më të bukurën dhe më të paharruarën, duke dhënë shembullin personal se si duhet Atdheu, se si jetohet, luftohet dhe vdiset për të.

E ç’mund të bënte tjetër ky njeri në orën e vet të fundit të historisë, më 20 mars 1999 (kur gjatë orëve të tjera e ka treguar në mënyrë teorike se si mbrohet Atdheu, kurse në orën e fundit në mënyrë praktike)?

Lavdi emrit dhe veprës së dëshmorit prof. Selim Berisha dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Debit kartelat bankare në formë vertikale, për herë të parë…