Orari i garave dhe çmimi i biletave për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka publikuar orarin e garave si dhe çmimin e biletave për Lojërat Olimpike “Paris 2024”. LO Paris 2024 do të mbahet prej 26 korrik deri më 11 gusht të vitit 2024 në kryeqytetin e Francës.
Për shkak të orarit të ngjeshur garat në disa sporte do të nisin më 24 korrik, kurse medaljet e para do të ndahen më 27 korrik, kur do të zhvillohen sportet si: xhudo, çiklizmi, skerma, zhytja, ragbi, shigjetaria, noti dhe skejtboarding.
Ceremonia hapëse do të zhvillohet në mbrëmjen e 26 korrikut. Në total do të jenë 329 gara, të cilat zhvillohen brenda 19 ditëve. Finalet e notit dhe atletikës do të zhvillohen në mbrëmje. Sporti i Kosovës më i suksesshëm, xhudo, që ka edhe tri kampione olimpike, do t’i zhvillojë garat prej 27 korrikut deri më 3 gusht 2024.
Edhe në dy Lojërat e fundit Olimpike, ku është përfaqësuar Kosova, xhudo ka qenë një nga sportet e para që ka nisur garat. Dallimi me “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”, është se luftërat për medalje do të zhvillohen prej orës 16-19:00 me kohën tonë lokale. IOC ka publikuar edhe detaje për biletat, të cilat do të dalin në shitje prej dhjetorit të këtij viti.
Gjithsej 10 milionë bileta do të jenë në shitje për Lojërat Olimpike, kurse 3 milionë për Lojërat Paralimpike. Çmimi më i lirë i tyre, rreth 1 milion sish, do të jetë 24 euro. Gjysma e biletave do të kushtojnë 50 euro ose më pak, ndërsa të tjerat rreth 100, 200 dhe 300 euro. Për garat e xhudos, një biletë do të kushtojë prej 90 – 330 eurosh. Për KOK-un, LO Paris 2024 do të jenë të tretat pas debutimit të artë në “Rio 2016” me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, të cilën e pasuan Distria Krasniqi e Nora Gjakova me medaljet e arta të fituara në “Tokio 2020”.