Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin terrorist në ‘Ibër-Lepenc’
02 dhjetor 2024
| 10:53
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Avio Orav, ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në kanalin e “Ibër-Lepencit”, dhe e ka quajtur sabotazh e akt terrorist.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Orav nuk ka thënë asgjë më tepër për mediat, vetëm se thirrja e Borrellit ishte e qartë, dhe se janë njoftuar me zhvillimet e fundit mbi sulmin e të premtes mbrëma.
“Patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar. Kryeministri pati mundësinë të na informojë për zhvillimet e së premtes mbrëma. Nga ana e Bashkimit Evropian, Borrelli ka bërë një thirrje të qartë që nuk do ta përsëris sepse dihet tashmë”, ka thënë Orav.