Orav: Zotimi im për vitin 2025, ta afroj Kosovën me BE-në
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë një zotim për vitin në të cilin sapo hymë.
Në një opinion të botuar në ueb-faqen zyrtare të Zyrës së BE-së në Kosovë, ai ka thënë se zotohet që do ta ndihmojë Kosovën të afrohet sa më shumë me BE-në.
“Gjatë katër muajve të fundit, kam shërbyer si urë lidhëse ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke nxitur marrëdhënie më të thella diplomatike, ekonomike, zhvillimore dhe kulturore. Zotimi im për Vitin e Ri është ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj dhe të ndihmoj që Kosova të afrohet edhe më shumë me BE-në”, ka thënë ambasadori Orav.
Ndër të tjera, ai ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës është i qartë, siç është edhe vizioni i BE-së për Ballkanin Perëndimor: “E ardhmja e rajonit është në BE. Së bashku, duam të ecim përpara drejt këtij synimi të përbashkët”.