Orban: Është e mundur arritja e një marrëveshjeje për buxhetin e BE-së
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se bisedimet e bllokuara për buxhetin e BE-së, mbase do të përfundojnë me një marrëveshje, pavarësisht vetos së Hungarisë dhe Polonisë.
BE-ja dëshiron që ta bëjë financimin të varur nga respektimi i sundimit të ligjit nga ana e vendeve anëtare.
“Shumë zgjidhje janë të mundshme, kjo është vetëm një çështje e vullnetit politik”, i tha Orban, radios publike, më 20 nëntor.
Miratimi i paketës afatgjate buxhetore të BE-së prej 1.8 trilionë eurosh, ku përfshihet edhe një fond për rimëkëmbjeje nga pandemia, hasi në veton e Hungarisë dhe Polonisë, më 16 nëntor.
Të dyja këto vende janë kritikuar shpesh nga institucionet e BE-së për mungesë të respektimit të lirive demokratike.
Vetoja ka të ngjarë të vonojë fondet e domosdoshme të BE-së, në një kohë kur blloku po lufton me një valë të dytë të të infektuarve nga koronavirusi.
Orban tha se zgjidhjet e pranueshme për të dy vendet “do të ishin ato të arritura në bazë të aspekteve ligjore dhe jo të shumicës politike”.
Ai nuk dha më shumë detaje.
Ekonomia e Hungarisë, e cila ka qenë kryesisht e varur nga fondet e BE, është në një recesion më të thellë se sa pritej për shkak të pandemisë.
Si Hungaria, ashtu edhe Polonia, janë nën vëzhgimin e BE-së për minimin e pavarësisë së gjyqësorit, medies dhe organizatave joqeveritare dhe ata rrezikojnë të humbasin qasjen në dhjetëra miliarda euro.