Orban: Evropa, indirekt është e përfshirë në luftë me Rusinë
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se Evropa është e përfshirë “indirekt në luftë me Rusinë”, pasi disa vende evropiane zotohen të dërgojnë tanke luftarake për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë pushtimin rus.
Orban, i cili është rizgjedhur kryeministër në vitin 2022 për një mandat të katërt radhazi, ka përsëritur se të qenit anëtar i NATO-s është “jetike” për Hungarinë, por tha se qeveria e tij nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, e as nuk do të ndërpresë marrëdhëniet ekonomike me Moskën.
Më 25 janar, qeveria gjermane i është përgjigjur thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere. Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se ShBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake “M1 Abrams” në Ukrainë.
“Tanku Leopard 2” konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore dhe rreth 20 vende aktualisht përdorin këtë tank. Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.
Më 9 shkurt, pas takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, Orban ka thënë se Budapesti “i përket kampit të paqes”.
Hungaria ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dhe deri në një marrëveshje të arritur në dhjetor, bllokoi një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën./REL/