Orban kritikon BE-në
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë të shtunën se Bashkimi Evropian “ka bërë gabime të mëdha” në pesë vjetët e fundit, sa i përket migrimit dhe ekonomisë.
Sipas Orbanit, Komisioni Evropian duhet të lejojë që Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së të vendosë për çështjet e migracionit, duke e krahasuar rolin e tyre me grupin e ashtuquajtur Eurogrup, ku bëjnë pjesë ministrat e Financave të vendeve që përdorin valutën euro.
Orban gjithashtu kritikoi Komisionin Evropian për atë që ai e quajti “aktivizmin politik”, që sipas tij, ka nisur një sërë procedurash mbi Qeverinë hungareze lidhur me çështjet që konsiderohen se janë kundër rregullave të BE-së.
Në vitet e fundit, BE-ja ka kritikuar Hungarinë për ligjet që kanë kufizuar të drejtat e azilkërkuesve, por edhe për legjislacione të tjera, siç mund të jetë ai për taksa ndaj kompanive mediatike private, bankave dhe kompanive të huaja.
“Komisioni duhet të sillet si mbrojtës i marrëveshjeve të BE-së dhe të heqë dorë nga akivizmi politik. Ky nuk është trup politik, duhet të ketë program dhe nuk duhet të sulmojë politikisht vendet anëtare”, tha Orban.
Orban pritet të takohet me presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyer javën e ardshme në Bruksel. Kryeministri hungarez kishte mbështetur kandidaturën e von der Leyer dhe ka thënë se pret që ajo të ketë një qëndrim më miqësor ndaj Hungarisë dhe vendeve të tjera në rajon, të cilat kanë kundërshtuar politikat e BE-së sa i përket migrimit, por edhe atyre të ambientit.
Ndërkaq, duke folur për ekonominë, Orban tha se është koha që të rikthehet, atë që ai e quajti “ekonomia konkurruese evropiane”, me hapjen e më shumë vendeve të punës dhe “uljen e taksave”.