Orban mbështet Trumpin në zgjedhjet e nëntorit
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e mbështeti presidentin amerikan, Donald Trump, në garën e tij për rizgjedhje, duke thënë se rivalët e tij nga Partia Demokratike e kanë detyruar “imperializmin moral” në botë.
“Ne e mbështesim fitoren e Donald Trumpit, sepse e dimë mirë diplomacinë e qeverive demokratike amerikane, të ndërtuar mbi imperializmin moral. Ne kemi qenë të detyruar ta provojmë atë më parë, nuk na ka pëlqyer dhe nuk e duam një tjetër”, ka shkruar Orban në një artikull të botuar në të përditshmen hungareze “Magyar Nemzet”.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen në nëntor.
Orban, nacionalist i krahut të djathtë, përballet me zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit 2022.
Orban shkroi se 2022-ta do të jetë vendimtare, pasi elita liberale ndërkombëtare përpiqet t’i shkatërrojë konservatorët e krishterë në Evropë.
Hungaria dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore do ta vendosin efikasitetin ekonomik mbi politikat e Bashkimit Evropian, të tilla si: “synimet klimatike të ngritura mbi absurditet, Evropa sociale, kodi i përbashkët i taksave dhe shoqëria multikulturore”, tha Orban.
Sipas organizatës “Freedom House”, demokracia në Hungari – vend anëtar i Bashkimit Evropian – ka qenë në rënie gjatë dekadës së kaluar.
Në raportin e fundit të publikuar në muajin maj, “Freedom House” e përshkroi Orbanin si udhëheqës që “nuk bën asnjë veprim për të respektuar institucionet demokratike”./rel/