Orban ‘tradhton’ Putin | Miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO
Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.
Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike. Ligjvënësit kanë votuar me 188 vota për dhe gjashtë kundër.
Disa ditë para votimit, kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka qëndruar për vizitë në Budapest dhe bashkë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, e kanë nënshkruar një marrëveshje për armët. Qeveria e Orbanit është përballur me presion prej aleatëve të NATO-s që të jetë në përputhje me vendet tjera të aleancës dhe të ratifikojë marrëveshjen për pranim të Suedisë.
“Më në fund është kryer, Suedia është anëtarja e 32-të e aleancës, dhe në këtë mënyrë NATO-ja është bërë më e fortë”, ka thënë Agnes Vadai, ligjvënëse e partisë opozitare hungareze, Koalicioni Demokratik.
Të gjithë aleatët ekzistues të NATO-s kanë ratifikuar tashmë statusin e anëtarësimit të Suedisë. Një ceremoni e ngritjes së flamurit pritet në selinë e NATO-s në Bruksel më vonë këtë javë, më pak se një vit pasi shteti nordik Finland iu bashkua aleancës.
Stokholmi vendosi t’i bashkohet NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.
Suedinë e kanë vonuar Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë, sesa vendet tjera të NATO-s. Turqia ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë, duke kërkuar më shumë masa të Stokholmit ndaj militantëve të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), të cilët Ankaraja beson se strehohen në Suedi.
Hungaria e ka zvarritur procesin kryesisht për shkak të kritikave të Suedisë për nivelin e demokracisë në Hungari, nën udhëheqësinë e Orbanit. Anëtarësimi i Suedisë, vend që nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, dhe Finlandës, përbën zgjerimin më të madh të aleancës, prej viteve ’90.
Ndonëse Suedia ka bashkëpunuar me vendet e NATO-s, dhe ka kontribuuar në disa operacione, sikurse ato në Afganistan, anëtarësimi i saj pritet të thjeshtësojë planet për mbrojtje dhe bashkëpunimin në flotën veriore të NATO-s.