Orbani e quan Kinën “një ndër shtyllat e rendit të ri botëror”
Kina dhe Hungaria do ta rrisin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë në industrinë e energjisë bërthamore, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së këtij të fundit në Budapest më 9 maj.
“Kina është njëra prej shtyllave të rendit të ri botëror”, tha Orban në një konferencë për media në kryeqytetin hungarez.
Xi mbërriti në Budapest mbrëmjen e 8 majit, pasi ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Turneu i tij evropian nisi më 5 maj në Francë, ku presidenti Emmanuel Macron dhe liderët e BE-së i kërkuan atij t’i lehtësojë kufizimet tregtare të Kinës dhe ta përdorë ndikimin e tij për t’i bërë trysni presidentit rus, Vladimir Putin, ta ndalë pushtimin e Ukrainës.
Orbani tha se tregtia e dyanshme është katërfishuar në 20 vjetët e fundit, duke i shndërruar marrëdhëniet mes Pekinit dhe Hungarisë në “një partneritet strategjik”.
Ai shtoi se investimet kineze ishin aq të vogla në Hungari para 20 vjetëve, saqë nevojitej një “xham zmadhues” për t’i vërejtur ato.
Vitin e kaluar, megjithatë, tre të katërtat e të gjitha investimeve të huaja në Hungari ishin kineze, nënvizoi Orban, duke shtuar se ato mundësuan vende të reja pune për dhjetëra mijëra hungarezë.
Duke folur përkrah Orbanit në Budapest, Xi tha se Kina do ta thellojë bashkëpunimin ekonomik, tregtar, financiar dhe në investime me Hungarinë.
Ai u zotua se do t’i çojë përpara projektet kyçe të ndërtimit, përfshirë një hekurudhë të shpejtë mes Budapestit dhe Beogradit. /REL/