Orbani premton lidhje më të ngushta me shtetet e Azisë Qendrore
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka premtuar se do të krijojë marrëdhënie më të ngushta me Kirgizinë dhe kombet tjera turke në Azinë Qendrore.
Duke folur para gazetarëve, më 4 shtator, pas takimit në Bishkek me presidentin e Kirgizisë, Sooronbai Jeenbekov, Orban ka thënë se “ka qenë nder të jem kryeministri i parë hungarez që vizitoj Kirgizinë”.
“Hungaria kujton origjinën e saj. Evropa na konsideron si popullin më lindor në Perëndim. Mirëpo po ashtu ata na shohin edhe si të huaj sepse ne nuk kemi paraardhës atje. Hungaria do kujdeset për rrënjët e saja kulturore”, ka thënë Orbani, duke shtuar se vizita e tij në Bishkek ka qenë “e suksesshme”.
Orban ka ftuar Jeenbekov për të vizituar Hungarinë dhe është deklaruar falënderues për liderin kirgiz, i cili siç ka thënë ai ka bërë “gjithçka” që Hungaria të pranohet në Këshillin e Shteteve turqisht-folëse, të njohur ndryshe edhe si Këshilli Turk, raporton “Rel”.
Këshilli Turk është themeluar në tetor të vitit 2009 me Azerbajxhanin, Kazakistanin, Kirgizinë dhe Turqinë si anëtaret e para në të.
Presidentët e katër shteteve anëtare janë takuar në qytetin Çolpon-Ata në Kirgizi më 3 shtator.
Orban dhe presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoev kanë marrë pjesë në këtë Këshill si “mysafirë nderi”.