Orbani propozon armëpushim në takim me Zelenskyn gjatë vizitës së parë në Kiev
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka bërë me dije se ia ka paraqitur një propozim për armëpushim presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka për qëllim pushimin e luftimeve me Rusinë, më shumë se dy vjet pasi Moska e ka nisur i pushtimin e plotë.
Duke folur për gazetarë pasi u takua me Zelenskyn në Kiev më 2 korrik, Orbani nuk ka dhënë hollësi rreth përmbajtjes së propozimit të tij.
Zelensky, ndërkohë, nuk ka shprehur fare mendim për propozimin e Orbanit.
“E pyeta presidentin nëse është e mundur për një pauzë, për një ndërprerje të luftimeve, për vazhdimin e bisedimeve pastaj”.
“Në fund të fundit, një armëpushim do ta garantonte përshpejtimin e ritmit të këtyre negociatave”.
“I jam shumë mirënjohës presidentit për qëndrimin e tij të sinqertë për këtë çështje”, ka thënë Orbani për gazetarë pas takimit.
Orbani ka udhëtuar në Ukrainë për herë të parë prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, në shkurt të vitit 2022.
Udhëtimi është realizuar një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Udhëtimi ka marrë vëmendje të madhe, për shkak të kritikave të zëshme dhe të vazhdueshme të Orbanit për ndihmën ushtarake që Perëndimi i dërgon Kievit.
Orbani është, gjithashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka dhënë urdhër për pushtimin e vendit fqinj.
Detaje nga bisedimet nuk kanë dhënë as zyrtarët ukrainas, as ata hungarezë.
Një këshilltar i Zelenskyt, Andriy Yermak, ka thënë se “është bërë shumë (për t’u përgatitur) për këtë vizitë”.
“Një bisedë e rëndësishme për të ardhmen e Evropës, sigurinë, ligjin ndërkombëtar, një formulë për paqen”, ka shkruar ai në një postim në Telegram.
Vizita është realizuar vetëm disa ditë pasi Orban dhe Zelensky janë takuar në një samit të BE-së në Bruksel.
“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, ka shkruar zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs në “X”.
Ambasadori amerikan në Budapest, David Pressman, ka thënë se e mirëpret vizitën e Orbanit në Kiev.
Prej se Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban është dalluar në mesin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për hezitimin e tij për të nënshkruar paketa të ndihmës për Ukrainën.
Dhjetorin e kaluar, ai është larguar nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
BE-ja, muajin e kaluar, i ka nisur këto bisedime me vendin në luftë.