Orbani: Putini nuk do ta sulmonte një vend të NATO-s
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka shprehur bindjen se është e pamundur që presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë një vend të NATO-s. “Asnjë njeri serioz nuk mund të thotë për Rusinë se synon ta sulmojë NATO-n”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”.
Sulmi kundër NATO-s është krejtësisht i pamundur – jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë – pasi është komuniteti më i fuqishëm ushtarak, tha Orban.
Prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putini ka bërë disa kërcënime – qoftë direkte, qoftë të tërthorta – kundër NATO-s.
Orbani ka theksuar se të gjitha vendet e NATO-s qëndrojnë pas zotimit të tyre për sigurinë kolektive, që do të thotë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve.
“Rusët kanë një histori dhe kulturë ndryshe. Ata e shohin ndryshe nga evropianët edhe lirinë edhe sovranitetin kombëtar”, ka thënë Orban, i cili ka takuar Putinin javën e kaluar në Moskë. “Por, ata janë racionalë, janë hiper-racionalë”, ka thënë ai.
Duke folur për zgjedhjet presidenciale në ShBA, që do të mbahen në nëntor, Orban ka thënë se beson se presidenti aktual Joe Biden nuk do të rizgjidhet. Ai e ka lavdëruar kundërkandidatin republikan të Bidenit, Donald Trump. “Ai është një biznesmen, është një njeri i vetëkrijuar, ka qasje ndryshe për gjithçka. Dhe, unë mendoj se kjo është gjë e mirë për politikën botërore”, tha Orbani për gazetën gjermane. “Të mos harrojmë se ai është njeri i paqes”, pohoi Orban, duke shtuar se Trumpi nuk ka nisur asnjë luftë të vetme gjatë katër vjetëve të tij në detyrë.
Orbani ka qenë i vetmi kryeministër i një vendi të Bashkimit Evropian që ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Trumpin edhe para zgjedhjes së tij president në vitin 2016.