Orbani thotë se Junckeri ‘është fajtor’ për Brexitin
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të dielën se presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker pjesërisht është fajtor për vendimin e Britanisë që të largohet nga Bashkimi Evropian.
“Një nga gabimet më të mëdha është se BE-ja e ka zgjedhur për presidentit të komisionit, personin që publiku britanik nuk e donte”, ka thënë Orbani në margjinat e Samitit për Brexitin që është mbajtur në Bruksel, raporton “DPA”.
“Gabimi i dytë është se blloku i la emigrantët të hyjnë (brenda BE-së), por nuk arriti që t’i bindë britanikët që të qëndrojnë në BE. Do të duhej të ishte e kundërta”, ka thënë Orbani.
Raportet në mes të Qeverisë së krahut të djathtë të Hungarisë, që udhëhiqet nga Orban dhe BE-së janë përkeqësuar që prej se blloku është përballur me valën e refugjatëve më 2015.
Këto raporte janë përkeqësuar edhe më shumë kur Parlamenti Evropian kishte votuar një sërë sanksionesh kundër Hungarisë në muajin shtator, për shkak të sundimit të rendit dhe ligjit në Hungari. BE-ja ka shprehur shqetësim lidhur me “shkeljet serioze” të vlerave themelore të BE-së nga Hungaria.