ORCA shpreson se rezultatet e PISA-s ta këndellin kryeministrin dhe qeverinë e tij
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, ku Kosova u rendit pothuajse në vendet e fundit.
“Me shqetësim të madh, por të pabafesuar pranuam rezultatet e PISA 2022 të cilat u publikuan para 1 ore në Paris nga OECD. Kosova ka shënuar rënie si nga rangimi ashtu edhe në performancë. Në vitin 2018 morën pjesë 74 vende dhe Kosova renditej e 72-ta ku 66% e nxënësve shënonin performancë të dobët, ndërkaq në vitin 2022 morën pjesë 80 vende dhe Kosova renditet e 79-ta pra e parafundit, ku 72.9% të nxënësve shënuan performancë të dobët. Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”, është thënë në reagimin e ORCA-s.
ORCA shpreson se këto rezultate ta këndellin kryeministrin dhe qeverinë e tij, ndonëse, sipas kësaj organizate, nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë pasë parasysh orientimin e qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë.