ORCA: Udhëzimi administrativ për avancimet akademike, domosdoshmëri
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), përmes një komunikate për medie, ka theksuar se mbetet e kënaqur me sqarimin e Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, për revistat me recension ndërkombëtar të bërë përmes Udhëzimit administrativ 1/2018 që lidhet me avancimet akademike në vend.
“Edhe pse ORCA ka pritur që ky udhëzim të jetë shumë më rigoroz e më i ashpër me qëllim të parandalimit të çfarëdo akrobacioni jashtëstatutar e anti-ligjor të institucioneve të arsimit të lartë në vend, ORCA e sheh këtë udhëzim si pikënisje për përforcim të kritereve përmes ligjit të ri për arsimin e lartë i cili është duke u diskutuar në organet e shtetit. ORCA ka avokuar vazhdimisht që kjo çështje të sqarohet nga MAShT dhe e mbështet rregullimin e kësaj çështje në nivel shtetëror pasi përgjatë avancimeve akademike janë shfaqur disa herë dilema se çka është një revistë ndërkombëtare”, është thënë në komunikatën e ORCA-s.
Sipas kësaj komunikate kjo organizatë është e shqetësuar me deklaratat e papërgjegjshme të zyrtarëve të UP-së të cilët kanë qenë të përfshirë në konsultime për këtë udhëzim dhe të cilët, sipas ORCA-së po luajnë dyfytyrësisht lidhur me këtë çështje.
“Në rast se menaxhmenti aktual nuk është në gjendje ta synojë cilësinë, ORCA i bën thirrje të dorëhiqen dhe t’i lenë rrugë atyre që mund ta shtyjnë çështjen e cilësisë përpara. Gjithashtu u bëjmë thirrje organizatave joqeveritare që nuk kanë qenë të përfshira në proces dhe të cilat nuk e njohin çështjen të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme dhe të mos tentojnë të përfitojnë vëmendje mediale nga çështja në fjalë. ORCA i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës, MAShT-it dhe institucioneve të tjera relevante të mos bien pre e parullës ‘Autonomi për Universitetin!’ pasi prapa kësaj parulle fshihet autonomia e plagjiaturës, e falsifikimeve, e keqpërdorimit akademik të cilave duhet t’ju vijë fundi në vendin tonë. ORCA pret që institucionet relevante të përdorin kompetencat e tyre për të vënë rend e rregull në hapësirën kaotike dhe veprimtarinë anti-ligjore në të gjitha institucionet e arsimit të lartë”, është thënë në këtë komunikatë.