ORCA: UP-ja për herë të parë del pozitivisht në integritet akademik
45 për qind e profesorëve në Universitet të Prishtinës (UP) nuk i justifikojnë titujt akademikë sipas kriterit të punimeve shkencore.
Ky është rezultati i hulumtimit njëvjeçar nga organizata ORCA, i cili paraqet të dhënat e mbledhura për punimet e profesorëve deri më 31 dhjetor 2020.
ORCA ka hulumtuar justifikimin e titujve në këtë universitet për katër vite, dhe për herë të parë në këtë universitet ka më shumë profesorë që justifikojnë titujt sesa profesorë që nuk i justifikojnë ata.
Në vitin 2017, 72 për qind e profesorëve të UP-së nuk i justifikonin titujt e tyre akademikë, në vitin 2018 59 për qind e tyre, ndërsa në vitin 2019, 55 për qind e profesorëve të UP-së nuk i justifikonin titujt e tyre akademikë.
Pra, në vitin 2020 shënohet viti i parë kur përqindja e atyre që justifikojnë titujt (55 për qind) përmbys përqindjen e atyre që nuk i justifikojnë titujt (45 për qind).
Borxhi i profesorëve të UP-së të cilët nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë shkon në 563 punime në total, të cilat do të duheshin që të arrihet justifikimi i plotë i titujve akademikë.
Me gjithë këtë përparim, shqetësues mbetet fakti që 29 për qind e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent.
Profesorët e këtij universiteti kanë botuar 2 564 punime nga viti 1988 deri në 2020. Nga viti 2017 deri në vitin 2020 janë publikuar 37 për qind e të gjitha punimeve çka korrespondon edhe me periudhën kur ka filluar të monitorohet ky universitet.
Gratë në Universitetin e Prishtinës dalin të jenë më të përgjegjshme dhe më profesionale duke pasur parasysh që 67 për qind e tyre i justifikojnë titujt e tyre akademikë në krahasim me 51 për qind të burrave të cilët i justifikojnë titujt e tyre akademikë.
Po ashtu kur vjen puna te integriteti akademik, gratë prijnë pasi nga numri total i profesorëve që kanë publikuar në revista të dyshimta vetëm 29 për qind e tyre janë gra, ndërsa 71 për qind janë burra.
Pjesëmarrës në ngjarjen e publikimit ishin edhe prorektorët e UP-së, Mimoza Ibrani dhe Kurtesh Sherifi të cilët theksuan progresin e arritur.
Vegëza e raportit: http://orca-ks.org/wp-content/uploads/2021/04/Integriteti-akademik-në-Universitetin-e-Prishtinës.pdf