
Organizata e veteranëve të UÇK-së kërkon nga Specialja raport të qartë mbi gjendjen shëndetësore të Thaçit
Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare ka shprehur shqetësimin saj të thellë për gjendjen shëndetësore të bashkëluftëtarit të saj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në reagimin e kësaj organizate, kërkohet nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpreh shqetësimin e saj të thellë për gjendjen shëndetësore të bashkëluftëtarit të saj, ish-presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Jemi të indinjuar me heshtjen e institucioneve të Kosovës, të cilat jo vetëm që nuk po reagojnë ndaj padrejtësive të Gjykatës Speciale, por as nuk po e mbajnë opinionin publik të informuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Kërkojmë nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve tanë, që po mbahen padrejtësisht në paraburgim që mbi katër vite. Për ne është e papranueshme që informatat mbi shëndetin e tyre, të mbeten në duart e spekulimeve nga individë dashakeq, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, as luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e OVLUÇK-së.
Më tutje theksohet se institucionet e Kosovës duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen për monitorimin e procesit gjyqësor.
“Nuk do të pranojmë neglizhencën dhe heshtjen institucionale, që po ndodh ndaj padrejtësive që po u bëhet nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve tanë në Hagë. Informimi i qytetarëve dhe garantimi i trajtimit të duhur të të paraburgosurve që janë me meritorët për shtetin që kemi sot, është detyrim i institucioneve dhe kërkojmë që ky detyrim të përmbushet menjëherë. Liria dhe drejtësia nuk mund të ndërtohen mbi heshtjen, neglizhencën dhe padrejtësitë që po iu bëhen bashkëluftëtarëve tanë në Hagë, nga Gjykata Speciale”, thuhet në reagimin e OVLUÇK-së.