ORGANIZATA PATRIOTIKE ILEGALE “PARTIA E LUFTËS E KOSOVËS”

21 prill 2019 | 13:36

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Pas vitit 1983 organet e sigurimit dhe të pushtetit okupues menduan se ilegalen shqiptare e kishin asgjësuar tërësisht. Mirëpo, edhe pse ishin mbajtur një numër i madh i proceseve gjyqësore dhe ishin zbuluar shumë grupe e organizata, asnjëherë nuk kishte ndodhur që të zbuloheshin të gjithë anëtarët e grupeve. Këtë e dëshmon viti 1984. Organet e sigurimit zbuluan dy organizata dhe 12 grupe ilegale me mbi 300 anëtarë, prej të cilëve penalisht e për kundërvajtje u ndoqën 173 persona, kurse 48 personave iu tërhoq vërejtja. Të gjitha grupet dhe organizatat që u zbuluan kishin një vazhdimësi të mëhershme, që para viteve 1980/1981.

Kjo e dëshmon atë që u tha më lart.

Në dokumentin P-K-108/84, në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, thuhej se Kadri Osmani, pas mbajtjes së dënimit në burgun e Dobit, gjykuar nga neni 117 al. 1. të KP-së, si njëri nga udhëheqësit e organizatës ilegale “Grupi Revolucionar”, sapo kishte dalë prej atje, kishte kërkuar lidhje të tjera për të vazhduar veprimtarinë patriotike. Së këndejmi rridhte frika e pushtet mbajtësve nga recidivët politikë. Këtyre ua kishin frikën më të madhe. Këta persona kishin përvojë ilegale, kishin njohuri të duhura, kishin guxim dhe, mbi të gjitha, kishin besim te të tjerët.

Kadri Osmani nuk kishte qenë pasiv as gjatë qëndrimit në burg. Atje bisedonte me të burgosur të tjerë, matë pulset e tyre dhe, aty ku shihte se kishte gjasë për ta përfituar një anëtar të devotshëm të ilegales, pa përtesë fillonte punën. Kështu ndodhi me të burgosurin Avdullah Rrustolli, i cili po ashtu gjendej në burgun e Dobit. Një kohë të gjatë Kadri Osmani i tregoi për jetën ilegale në Kosovë, për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar etj., derisa një ditë e bindi që të organizohej dhe të bëhej anëtar i organizatës ilegale.

Më 1977 ai para tij e ka dhënë betimin për besnikëri: “Se do të jetë besnik, se detyrat e parashtruara do t’i kryejë me ndërgjegje, se do ta ruajë fshehtësinë, se shokët me të cilët punon nuk do t’i zbulojë etj” Pas daljes nga burgu, Avdullah Rrustolli, duke i qëndruar besnik betimit të dhënë, gjatë pushimeve në Ulqin formoi “treshen” e organizatës, duke angazhuar edhe Isak Havollin dhe Bajram Ajetin, të cilët e dhanë betimin para Avdullah Rrustollit, sipas tekstit që e kishte përpiluar shumë më herët Kadri Osmani. Anëtarëve të rinj iu caktuan detyrat. P. sh., Bajram Ajeti e mori përsipër që në trevën e Llapit të formonte “treshe” të reja.

Pas nëntë vjetësh burg, Kadri Osmani kërkonte lidhjet e vjetra me bashkëmendimtarët e vet. Xhafer Shatri kishte ikur në Zvicër, ku kishte formuar organizatën e re me emrin “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”.

Avdullah Rrustolli u angazhua që të shkonte në Zvicër dhe të binte në kontakt me Xhafer Shatrin e me Hasan Malën dhe t’i njoftonte ata se si do ta fillonin aktivitetin e serishëm në vend.

Më 1983, Kadri Osmani njoftohet se Sejdi Veseli i takon organizatës ilegale “Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës”. Ai takohet edhe me anëtarët udhëheqës të “Frontit”, mban disa takime me ta, njoftohet me punën që kryen kjo organizatë, njëherësh njoftohet se kjo organizatë u dërgon materiale ultimative organeve udhëheqëse të krahinës si dhe funksionarëve të caktuar politiko-shoqërorë, që nëse Kosovës gjer më 1 janar 1984 nuk i jepet statusi i Republikës, atëherë “Fronti NÇ i Kosovës” do të ndërmarrë masa adekuate e konkrete për realizimin e saj”.

Më 17 qershor 1984 u nxorën para Gjyqit të Qarkut në Prishtinë 14 veta, anëtarë të Organizatës “Partia e Luftës së Kosovës”

Kjo organizatë kishte “Komitetin Qendror” dhe kryesinë e saj. Sejdi Veseli ishte sekretar i përgjithshëm i “FNÇK”-së. Ndërkohë u morën vesh që në të ardhmen organizata të quhej “Fronti Antirevizionist” dhe njëherësh të formoheshin “Shtabet Operative”, si: “Shtabi Operativ Shkencor” (SHOSH), që do të jetë organi më i lartë i “Partisë së të ardhmes – Partisë së Luftës të Kosovës”. U shtrua nevoja që ato të formoheshin në qendër të Kosovës, prej tre anëtarësh, që kombëtarisht ishin të ngritur dhe ishin me fakultete të kryera. Nga çdo SHOSH do të dërgohej nga një anëtar për kongres, që llogaritej të mbahej në gjashtëmujorin e parë të vitit 1984.

Planifikohej që të formoheshin edhe “Shtabet Operative Qarkore” (SHOQ). Ato mendohej të formoheshin në çdo lokalitet të Kosovës dhe në çdo organizatë më të madhe punuese dhe të kishin nga tre anëtarë që kishin të mbaruara së paku shkollat e larta. Ndërkaq, “Shtabet Operative Rajonale” (SHOR), ishin paraparë që të kishin nga tre anëtarë, me shkolla të mesme të mbaruara. Nga këto shtabe ishte paraparë që të formoheshin “Njësite Guerile”, ose “Brigada Sulmuse”, të dedikuara për aksione konkrete, për shpërndarjen e parullave, të trakteve, të materialeve propaganduese, e në rast nevoje edhe për luftë. Në një mbledhje të mëvonshme, që mbahet në shtëpinë e Sejdi Veselit, në të cilën marrin pjesë Kadri Osmani, Sejdi Veseli, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, shumëzohet materiali “Programi Nacionalçlirimtar i Kosovës”, që është themeluar në “Mbledhjen e 28 Nëntorit 1980” në Prishtinë, ku është marrë vendim që të nxirret edhe një gazetë me titull “Revolucioni i Kosovës”, që do të jetë organ i “Partisë së Luftës të Kosovës”, së cilës do t’i paraprijnë fjalët e betimit: “Betohem para klasikëve të marksisëm-leninizmit, Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës si dhe para flamurit kombëtar e para shokut (shokëve) se gjithë jetën do t’ia kushtoj çështjes sonë: bashkimit kombëtar dhe territorial, betohem se do të mbaj konspiracion të thellë dhe se për asnjë grimë nuk do t’i tejkalojë autorizimet e dhëna dhe nëse tradhtoj mos i shpëtofsha dorës së pamëshirshme të popullit”.

Është me interes që të cekët se gjatë veprimtarisë së organizatave ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, tek teksti i betimeve vërejmë evoluime të pjesshme, por asnjëherë pa ndryshuar qëllimin e organizatës. Teksti i betimeve përpilohej edhe në bazë të situatave politike në Shqipëri por edhe në ish-Jugosllavi. Por, ajo që ishte më e rëndësishmja është se, në çdo tekst të betimit, flamuri kombëtar shqiptar dhe bashkimi i trojeve shqiptare është bazament dhe qëllimi suprem i çdo organizate pa marrë parasysh emërtimin ideologjik të saj. Andaj, nuk është për tu çuditur pse është ky tekst i betimit, ngase në atë kohë Shqipëria ishte vend komunist dhe nga ajo normalisht, pritej përkrahja për organizatat patriotike në Kosovë.

Më 1983, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha me pasaporta false donin ta kalonin kufirin ilegalisht dhe anëtarët e organizatës ilegale që vepronte në Perëndim t’i njoftonin me punën e tyre dhe me kërkesën e tyre, jo vetëm me kërkesën “Kosova-Republikë”, por edhe me ndryshime të tjera radikale që do të ndodhin në vend. Mirëpo, për tërë këtë nevojitej një veprimtari paksa më e zgjeruar. Duhej organizuar greva, demonstrata, duhej përgatitur materiale propaganduese, trakte, fletushka, parulla dhe këto duhej shpërndarë në vende të ndryshme. Po qe se paraqitet nevoja, duhet ndërmarrë edhe aksione konkrete, edhe me armë, në mënyrë që të jepet shkas që Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në periudhën kohore qershor-dhjetor 1983, kjo organizatë u furnizua me shumë materiale që silleshin ilegalisht nga perëndimi në vend. U sollën: “Zëri i Kosovës”, “Zëri i atdheut”, libri “Titistët”, “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”, “Trakti kundër tradhtisë”, udhëzimi “Si të mbrohemi para organeve të sigurimit” dhe këto materiale iu shpërndanë anëtarëve më të besuar të organizatës. Organizata kishte fondin e vet, i cili mjetet materiale i siguronte nga anëtarësia si dhe nga donacionet e ndryshme, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.

Organizata “Partia e Luftës e Kosovës” ishte organizatë e cila vepronte në bazë të platformës së “Lëvizjes së Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”. Kryesisht vepronte në rajonin e Prishtinës, të Podujevës, të Ferizajt, të Lipjanit dhe të vendeve të tjera në Kosovë.

Në komunën e Ferizajt vepronte treshja e përbërë nga Ibush Vishi, Enver Topalli dhe Agim Vishi. Më 1983, në qershor, u bashkëngjitet edhe ilegalisti i njohur, Ramë Buja. Këta në mënyrë të organizuar shpërndajnë “Traktin kundër tradhtisë”, të cilin nëpërmjet postës ua dërgojnë personave të ndryshëm në komunat Ferizaj, Kamenicë, Gjilan, Istog dhe Pejë.

E tërë kjo bëhet me qëllim që masat e gjera të përgatiteshin, se më vitin 1984 llogaritej që të mbaheshin demonstrata masive popullore. Në Komunën e Podujevës ishin dhënë 18 “Trakte kundër tradhtisë”, 15 numra të gazetës “Zëri i Kosovës”, nr. 2 e 3, dy libra “Titistët” dhe shumë materiale të tjera, që i kishte marrë përsipër t’i shpërndante Bajram Ajeti.

(Vijon / Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jens Thurau Populistët e djathtë gjermanë në krah të presidentit…