ORGANIZATA PATRIOTIKE ILEGALE “PARTIA E LUFTËS E KOSOVËS” (2)

23 prill 2019 | 11:22

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në Komunën e Mitrovicës, në muajin shtator 1981, me iniciativën e Rrahim Ramës është formuar grupi ilegal, që më vonë të lidhet me ndonjë organizatë më të madhe. Raif Rama është zgjedhur kryetar i grupit, Raif Qela sekretar, kurse Agim Gosalci dhe Agron Hamiti janë bërë anëtarë të grupit. Në muajin tetor të vitit 1983, nëpërmjet patriotit Mehë Uka janë vënë në kontakt me Kadri Osmanin, i cili i ka njoftuar për ekzistimin dhe veprimtarinë e organizatës “Lëvizja e Republikës Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi” dhe për përpjekjet e “Lëvizjes…” që të shndërrohej në “Front antirevizionist”. Njëherësh, i ka njoftuar se Raif Qela është pranuar si anëtar në radhët e “Lëvizjes…” dhe i janë caktuar detyrat konkrete, që në anën e Mitrovicës të formonte “Treshen” ilegale, së cilës do t’i bashkëngjitej edhe Mehë Uka sapo të kthehej nga shërbimi ushtarak.

Kadri Osmani i ka treguar se edhe Rrahman Rama është zgjedhur një ndër tre përgjegjësit kryesorë për Universitetin e Prishtinës në “Shtabin Operativ Shkencor”, me gradën ushtarake të majorit dhe se do të organizohet një atentat kundër dy personave të SPB-së të Gjilanit, nga shkaku se i kanë torturuar jashtë mase të burgosurit politikë.

Në fillim të korrikut 1983 Remzi Bunjaku bëhet anëtar i “Lëvizjes”, së bashku me Ajet Dulin. Nëpërmjet Kadri Osmanit furnizohen me literaturë të ndaluar e më vonë njoftohen se kjo organizatë përkrah kërkesën që Kosova të fitojë statusin e Republikës. Materialin ilegal e shfrytëzonin anëtarët e rinj, siç ishin: Ajet Duli, Rrahim Rama si dhe Xhevdet Thaqi.

Në takimet e mëvonshme kanë vendosur të formojnë “Komitetin Revolucionar Ushtarak të Kosovës”, me propozim të udhëheqësisë:

  1. Adem Demaçi, që gjendej në vuajtje të dënimit, u emërua komandant i Forcave të Përgjithshme Ushtarake me gradën “Marshall”.
  2. Xhafer Shatri, i cili ndodhej në emigracion në Zvicër është emëruar zëvendëssekretar i përgjithshëm i “Komitetit”.
  3. Rexhep Mala, është emëruar zëvendëskomandant i forcave të armatosura.
  4. Kadri Osmani, është emëruar sekretar ekzekutiv i partisë dhe ministër i punëve të brendshme.
  5. Hasan Mala, që gjendej në emigracion, është emëruar shef i kabinetit.
  6. Kadri Abdullahu, që gjendej në emigracion, është emëruar shef i diplomacisë për jashtë, kurse
  7. Nuhi Berisha është caktuar për kryetar të rinisë së “Komitetit të Kosovës”.

Me këtë rast janë caktuar edhe gradat e të tjerëve. Kështu, përveç Adem Demaçit, të cilit i është caktuar grada “Marshall”, për të tjerët janë ndarë gradat “major”, kurse gradat më të ulëta janë paraparë për “shtabet operative, qarkore e rajonale” etj. Me këtë rast është paraparë edhe formimi i organizatës së “Rinisë Revolucionare të Kosovës”.

Anëtarët e organizatës kanë paraparë që të dalin edhe jashtë shtetit, bile të shkojnë edhe në Kombet e Bashkuara, e mundësisht edhe si delegacion të shkojnë në Shqipëri. Për t’i sendërtuar këto ide, u vendos që dy anëtarë nga organizata të shkojnë në perëndim që të takohen me Xhafer Shatrin, Hasan Malën dhe Kadri Abdullahun dhe t’i njoftojnë për formimin e “Lëvizjes së Frontit Antirevizionist, pararojës së sajë, Partisë së Luftës të Kosovës” dhe formimin e “Komitetit Revolucionar Ushtarak të Kosovës”. Platformë e saj është bashkimi i të gjitha viseve të banuara me shqiptarë në RSFJ dhe pastaj pason bashkimi i tyre me shtetin amë – Shqipërinë.

Vlen për t’u cekur se edhe në këtë periudhë, pas vitit 1981, organizatat ilegale mund të kenë emra të ndryshëm, por programet dhe platformat e tyre përafërsisht ishin të njëjta dhe qëllimi parësor i tyre ishte që Kosova të fitonte statusin e republikës dhe në një të ardhme jo të largët të bëhej bashkimi i saj me shtetin amë – Shqipërinë. Ndodh edhe kjo që shumë anëtarë të ilegales u përkisnin shumë organizatave ilegale.

Rasti më konkret është edhe i organizatës së “Partisë së Luftës së Kosovës”, e cila bashkëpunon ngushtë me “Lëvizjen e Republikës Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi”, por që anëtarët e saj inkuadrohen edhe në organizata të tjera, njëherësh edhe anëtarë të organizatave të tjera futen në këtë organizatë, siç është rasti i Adem Demaçit, i Kadri Osmanit etj. Fundja, ishte me rëndësi se të gjitha organizatat kishin vetëm një qëllim suprem, çlirimin e Kosovës nga okupuesi serbosllav.

Pas një pune të suksesshme dhe aktiviteti të dendur politik ilegal, pas një përcjelljeje të gjatë të organeve të sigurimit, disa nga veprimtarët e organizatës zbulohen. Kështu, më 29 qershor të vitit 1984 Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me trupin gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Ymer Osaj, kryetar, Sllobodan Zhivkoviq dhe gjyqtarët porotë: Azem Emini, Dojqin Maksimoviq e Iljaz Aliu, anëtarë, në praninë e të akuzuarve, mbrojtësve të tyre, përfaqësuesit të akuzës publike – zëvendsëprokurori publik i qarkut në Prishtinë, Njazi Burgu – Deva, shpall aktgjykimin me numër P. nr. 108/84, duke i akuzuar këta atdhetarë:

  1. Kadri Osmani (1937), Makreshi i Ulët (Gjilan), arsimtar – 15 vjet burgim
  2. Enver Topalli (1959), Greme (Ferizaj), student – 14 vjet burgim
  3. Abdullah Rrustolli (1943), Prugovc (Prishtinë), i papunë – 10 vjet burgim
  4. Raif Qela, (1963), Reshan (Mitrovicë), student – 12 vjet burgim
  5. Rrahim Rama, (1963), Klinë e Ulët, student – 5 vjet burgim
  6. Remzi Bunjaku (1956), Strezoc (Kamenicë), punëtor – 6 vjet burgim
  7. Ajet Duli, (1954), Svircë (Medvegjë), arsimtar – 7 vjet burgim
  8. Mehë Uka (1962), Bajgorë (Mitrovicë), student – 7 vjet burgim
  9. Negjmedin Gërguri (1964), Bellaqevc i Madh, student – 5 vjet burgim
  10. Mahmut Ibrahimi, (1962), Bellogogjde (Strugë), student – 1 vit burgim
  11. Ibush Vishi, (1958), Dubravë (Kaçanik), student – 9 vjet burgim
  12. Behxhet Imishti, (1958), Dubravë (Kaçanik), student – 10 vjet burgim
  13. Ramë Buja, (1958), Bujan (Lipjan), student – 8 vjet burgim
  14. Agim Vishi, (1960), Shkup, sh. e mesme – 8 vjet burgim.

Në vazhdim po paraqesim vetëm disa reagime të anëtarëve që i japin para trupit gjykues: Kadri Osmani: Të gjitha këto janë trillime të kombinuara në hetuesinë e zhvilluar në SPB dhe nën presion

Enver Topalli: Pasi që ka hyrë në sallën e gjykimit, ka ngritur dorën e djathtë dhe me zë të lartë ka bërtitur: “Vdekje fashizmit, më vonë do ta kuptosh se ç’do të thotë kjo, do të vijë koha kur do të kuptosh”. Në hetuesi ndaj meje janë përdorur mjetet e shtrëngimit, andaj kam nënshkruar nën presion. Konsideronte se në Kosovë janë shkelur të drejtat e njeriut, sidomos të drejtat e shqiptarëve të cilët janë të shkelur, të torturuar, se Kosova është e shfrytëzuar nga të tjerët, ju jeni duke na gjykuar, por do të përgjigjeni para popullit e ai do t’jua japë përgjigjen me top.

Abdullah Rrustolli: Të gjitha këto janë shpifje dhe montime. Në hetuesi deklaratën e kam dhënë i detyruar nga torturat.

Raif Qela: Të gjitha veprimet paraprake i kam pohuar nën tortura dhe në këtë mënyrë kam qenë i detyruar të pohoj çdo gjë që është kërkuar nga unë.

Rrahman Rama: Të gjitha akuzat janë absurde dhe paraqesin ofendim e fyerje për të.

Remzi Bunjaku: Çdo gjë e dhënë është nën presion dhe cilësimi juridik i veprës penale nuk është i drejtë.

Mehë Uka: Asnjë veprim i tij nuk është armiqësor dhe është plotësisht i pafajshëm dhe i dënuar pa kurrfarë baze ligjore. Nënshkrimi i procesverbalit, i përpiluar nga SHSSH-ja, është i falsifikuar.

Ibush Vishi: Pa bazë i vihet në barrë vepra penale nga akuza e improvizuar, se përdorimi i dhunës ka ndikuar që të bëjë vetë shpifje dhe se në përgjithësi veprimet e veta i ka pranuar se ka lexuar dhe ka shpërndarë literaturë të ndaluar dhe se është solidarizuar me përmbajtjen e tyre.

Ramë Buja: Pranon se ka lexuar literaturë të ndaluar, njëherësh pranon se personave të caktuar ua ka shpërndarë “Traktin kundër tradhtisë”, se veprimet e tjera nga akuza i ka pohuar në hetuesi, i detyruar nga torturimet çnjerëzore e barbare të punëtorëve të sigurimit dhe se do të ishte nder i madh sikur të ishte bërë anëtar i ndonjë organizatë.

Behxhet Imishti: nuk ka dashur të japë mbrojtjen e vet, duke thënë se nuk dëshiron të flasë, sepse kjo gjykatë është gjykatë revizioniste, gjykatë antipopullore.

Organizata Ilegale Patriotike “Partia e Luftës së Kosovës”, kryesisht veproi në trevën e Komunës së Prishtinës, të Podujevës dhe në disa vende të tjera të Kosovës. Ajo konsideronte se LRSSHJ-ja dhe organizatat e tjera ilegale duhet të inkuadrohen në organizatën unike të quajtur “Fronti Antirevizionist”, pararojë e së cilës do të ishte organizata “Partia e Luftës së Kosovës”. Në këtë organizatë kontribut të çmuar dha edhe ish-i burgosuri politik, Murteza Nura, i cili, pas vuajtjes së dënimit, përsëri u inkuadrua në aktivitetin patriotik. Gjatë veprimtarisë së vet bashkëpunoi me Muharrem Rugovën, me Rrustem Zeqirin, me Sahit Metajen dhe me patriotë të tjerë të organizatës ilegale në trevën e Komunës së Gjakovës.

Gjatë vitit l978, ai e përqendron aktivitetin në konsolidimin me anëtarë të rinj, në mënyrë të bindshme shkoqit bazat ideologjike e programore të veprimit dhe mund të konsiderohet një ndër ideologët kryesorë, që hartoi dhe siguroi literaturë të konsiderueshme me përmbajtje antishtetërore, të cilën ua shpërndau anëtarëve të organizatës. Intensivisht merrte pjesë në shqyrtimin e detyrave të mëtejme të organizatës, inicion dhe flet në të mirë të veprimtarisë patriotike në të gjitha fushat e jetës. Në gusht të vitit l981, u arrestua dhe u dënua me 9 vjet burg të rëndë si pjesëtar i grupit ilegal patriotik. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erald Selca Zona Operative e Dukagjinit ishte bastion lufte dhe…