Organizatat e dala nga lufta paralajmërojnë veprime nëse nuk shfuqizohet Gjykata Speciale
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar veprime konkrete nëse nuk shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës.
Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve ka thënë për Indeksonline se pret nga deputetët e Kuvendit që ta kryejnë punën e tyre për shfuqizimin e kësaj Gjykate.
“I falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë dhe janë kundër funksionimit të kësaj gjykate, e cila dëmton gjithçka, duke përfshirë aspektin moral, njerëzor dhe kombëtar. Sepse po prek në një luftë që ka qenë shumë e pastër nga ana e UÇK-së, e që të gjitha këto po bëhen njëanshëm”, ka thënë ai.
Sipas Jasharit, pavarësisht vendimit të atyre që thirren në emër të popullit, duhet ta dinë se organizatat e dala nga lufta janë kundër veprimeve që e dëmtojnë imazhin e luftës së drejtë të UÇK-së.
“Deputetët që kanë zënë ulëset e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk e di se a e dinë ata që i kemi edhe më shumë se një mijë njerëz që figurojnë të zhdukur dhe sa masakrat dhe dhunimet që janë bërë nga ushtria serbe. Deputetët para së të vendosin për vazhdimin e kësaj gjykate, duhet t’i vizitojnë varrezat e civilëve të vrarë në luftë dhe pastaj të binden se kush ka bërë krime në Kosovë”, ka thënë ai.
Jashari ka paralajmëruar se do të ketë veprime konkrete nëse nuk bie poshtë ligji i Gjykatës Speciale.
“Ne jemi drejtuar me peticione dhe kërkesa institucionit që e ka votuar këtë gjykatë dhe se ata deputet që kanë zënë vendet aty, nëse nuk respektojnë rrugën në të cilën kemi ardhur deri këtu, ata nuk kanë nevojë të qëndrojnë më në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Jashari.