Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, në të dy leximet brenda të njëjtës seancë.
Sipas shtatë organizatave të shoqërisë civile: Demokracia për Zhvillim (D4D), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe organizata Çohu, ky projektligj nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore dhe është miratuar pa kosto financiare.
“Praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme në procedura të përshpejtuara janë në kundërshtim dhe të dëmshme për standardet e jetës parlamentare. Ky projektligj, nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore, që u proklamua si e tillë edhe në vetë emrin e komisionit ad-hoc. Për më tepër, përmbajtja e këtij projektligji përveç pjesës ‘kozmetike’, nuk adreson shumë prej mangësive përmbajtësore të sistemit zgjedhor, e në disa raste veçse i përkeqëson ato”, është thënë në reagimin e këtyre organizatave të shoqërisë civile.
Më tej në reagim theksohet se në esencë, ky projektligj reflekton më shumë një kompromis midis partive politike të cilat kanë shtyrë përpara interesat e tyre në raport me integritetin e kandidatëve, votimin preferencial, votimin jashtë vendit dhe pavarësinë e KQZ-së. “Këto çështje nuk janë adresuar as gjatë punës së komisionit ad-hoc, por as në kuadër të angazhimit tonë para votimit të projektligjit në seancë. Për më shumë, as propozimet dhe amendamentet konkrete që kemi propozuar lidhur me çështjen e integritetit të kandidatëve dhe pavarësisë së KQZ-së, nuk janë marrë parasysh nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion”, është theksuar në reagim.
Organizatat e shoqërisë civile kanë theksuar se ndonëse me efektet të cilat do të cenojnë vlerat dhe standardet dhe integritetin zgjedhor, me këto pasoja të këtij projektligji do të ballafaqohemi qysh në procesin e ardhshëm zgjedhor.
“Lista e kandidatëve dhe të zgjedhurit që mund të jenë pjesë e pjesë e Kuvendit të Kosovës, kuvendeve komunale apo kryetarë të komunave, potencialisht do të jenë individë të dënuar për vepra penale me më pak se një vit burgim, me kusht apo me gjobë – e që përbëjnë rreth 80% të rasteve vetëm viteve të fundit. Në anën tjetër, pozita e Kryesuesit dhe anëtarëve të KQZ-së do të politizohen dhe do dëmtohet kredibiliteti dhe imazhi i këtij institucioni të pavarur, për shkak se shkarkimi i tyre për shkelje të integritetit do të mund të bëhet vetëm me miratim të 2/3 të anëtarëve. Ne shprehim kundërshtimin tonë dhe vazhdojmë të alarmojmë publikun dhe të gjithë akterët se reforma zgjedhore, e nisur para më shumë se një dekade, u shfrytëzua nga partitë politike për akomodim të interesave partiake në dëm të integritetit zgjedhor, e jo me qëllim burimor të përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe nivelit të përfaqësimit politik në Kosovë”, thuhet në këtë reagim.
Koalicioni i OJQ-ve, të cilat janë të angazhuara për rritjen e integritet zgjedhor, duke vlerësuar këtë ligj të një rëndësie të veçantë për nivelin e demokracisë në Kosovë, do të ndjek edhe format tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili do ta cenojë integritetin zgjedhor.