Organizatat për mbrojtjen e mjedisit, të zhgënjyera nga Kurti, u shkruajnë deputetëve
Në Ditën Botërore të Tokës, organizatat mjedisore në Kosovë i janë drejtuar me një letër 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes të cilës kanë kërkuar që të veprojnë për mjedisin.
Përmes kësaj thirrje organizatat mjedisore kanë kërkuar vëmendjen dhe ndërhyrjen e tyre për të anuluar udhëzimin administrativ për Leje Mjedisore të nxjerrë nga Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, që sipas tyre përjashton publikun nga pjesëmarrja në vendimet që i prekin ata, dhe i jep autoritet të plotë ministrit Aliu për të vendosur për shfrytëzimin e resurseve natyrore të Kosovës.
“Kjo thirrje dhe ndërhyrja e deputetëve është kritike në këtë moment, pasi sot është bërë një muaj që 50 organizata jo-qeveritare nga Kosova, si dhe organizata për mbrojtjen e lumenjve nga Austria Riverwatch, dërguan një letër hapur te Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të ndërhyrë dhe anuluar këtë udhëzim, por që një muaj Kryeministri është i heshtur dhe po injoron këtë thirrje të fuqishme nga 50 organizata, edhe pse edhe vet zyra e tij ka konstatuar se ky udhëzim administrative përmban shkelje të drejtave kushtetuese”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
Organizatat mjedisore kanë shtuar se mbeten thellësisht të zhgënjyera nga vendimi i Kryeministrit Kurti për të qëndruar i heshtur pas këtyre shkeljeve siç thonë ata të të drejtave themelore, përkundër premtimeve që ai ka dhënë dhe që vazhdon të bëjë për mbrojtje të Kosovës.
Ajo i kujton Kryeministrit Kurti se Kosova është toka, uji, dhe të gjitha resurset natyrore që Ministri Aliu tashme i ka futur nën kontroll”.