Organizimi i demonstratave nga mërgata shqiptare
Edhe disa udhëheqës lokalë i kishin pushuar nga puna dhe i kishin burgosur, siç janë: Muhamet Fejzullahu, Adem Hyseni, Shefki Qorolli, Ibrahim Qorolli, Mahmut Jashari dhe Izet Aliu. Ndërsa shumë nxënës i kanë përjashtuar nga shkolla dhe prindërit e tyre i kanë dënuar me shumë vite burg të rëndë.
Sipas pushtetarëve jugosllavë, më 1981 ishte paraparë që në Jugosllavi të bëhej regjistrimi i popullsisë. Mirëpo, asnjëherë nën pushtetin jugosllav shqiptarët nuk kanë mundur të jenë të sigurt se nuk do t’u bëhet ndonjë hile. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e regjistrimit të vitit 1981, kur shqiptarët nuk e pranuan atë regjistrim, pasi bëhej nën grykat e tankeve. Duhet përmendur se në regjistrimin e vitit 1981, në mesin e shumë kolonave, ishte shtuar edhe kolona “kombësia- jugosllav”. Dihej se Jugosllavia, emër që kishte filluar të përmendet në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte një federatë kombësish të ndryshme, që secila kishte kulturën dhe gjuhën e vet. Secila nga këto kombësi kishte edhe republikën e vet, përveç shqiptarëve, e cila ndryshon nga të tjerat. Lëvizjet atdhetare e ilegale gjatë tërë ekzistencës së tyre nuk kanë pasur tjetër qëllim, vetëm të fitojnë të drejtën për bashkim me shtetin amë, ose të fitojnë të drejtën për të pasur një republikë sipas Kushtetutës së shtetit Federal Jugosllav. Sipas të dhënave që na i ofron gazeta “Qindresa Shqiptare”, në Jugosllavi ekziston shteti me këtë emër, por nuk ka një “kombësi” jugosllave. Shkaktare e krejt kësaj përzierjeje jo të natyrshme duhet të jetë Serbia, pasi ajo do që të përziejë kombësinë e vet me një të vetëquajtur “kombësi jugosllave”.
Serbia e quan veten se është themeli i shtetit jugosllav, do që t’i zhdukë dhe t’i përvetësojë kombësitë e tjera në Jugosllavi.
Të gjitha regjistrimet që ishin bërë në Jugosllavi, kishin treguar shumë kujdes që të bënin fshehjen e numrit të popullsisë shqiptare, duke e bërë përzierjen me turqit, maqedonasit, malazezët dhe serbët. Regjistrimi i fundit tentoi të përdorte po këto dredhi, por nuk pati sukses. Në Maqedoni janë regjistruar 1.912.000 banorë, nga të cilët 60% janë shënuar maqedonas dhe vetëm 20% shqiptarë. Kurse, sipas shënimeve që ka siguruar fshehtas gazeta nga disa zyra të regjistrimit, ka më shumë se 800.000 shqiptarë në Maqedoni dhe afro 3.000.000 shqiptarë në Jugosllavi.
Me rastin e hapjes së sezonit të zakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shqiptarët në mërgim morën përsipër që të organizonin edhe një demonstratë në Nju-Jork, për hir të situatës në Kosovë. Kjo demonstratë mendonin se do të jetë edhe demonstrata më e madhe që do të bëhej jashtë Kosovës.
Këtë tubim e manifestim të madh e kishin paralajmëruar shumë mërgimtarë nga të gjitha vendet e botës, atje ku ndodheshin.
Rëndësia e demonstratës së Nju-Jorkut, ashtu sikurse edhe e demonstratave të tjera, ishte që t’u tregohej shqiptarëve kosovarë që ata nuk kanë mbetur të vetmuar e të papërkrahur në luftën e tyre me kuçedrën jugosllave; njëkohësisht, në këto demonstrata u tregohej shovinistëve serbomëdhenj që shqiptarët në mërgim, duke i shtrënguar radhët e veta, po dalin në skenë si një forcë e madhe dhe e qëndrueshme. Në anën tjetër, rëndësi të veçantë për mërgimtarët shqiptarë, kishte se me anën e tyre ata demonstronin vullnetin e tyre, duke iu përmbajtur parimit dhe motos: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bëjmë diferencimin e keqkuptimeve dhe të mosmarrëveshjeve, të akumulojmë energji të reja për beteja të ardhshme në mbrojtje të kombit, të kristalizojmë dhe të përforcojmë idealet tona kombëtare.
Këtu qëndronte edhe rëndësia e demonstratave të mërgimtarëve tanë, në përgjithësi, dhe këtu qëndronte, në mënyrë të veçantë, rëndësia e demonstratës së madhe të Nju-Jorkut.
Si qëllim të posaçëm demonstratat e shqiptarëve në mërgim kishin se donin t’i bënin me dije botës të vërtetën rreth gjendjes së shqiptarëve nën pushtimin jugosllav. Tanket dhe divizionet e ushtrisë jugosllave nuk arrinin të mposhtnin demonstratat e shqiptarëve, së paku në mërgim, ashtu siç i mposhtën ato të vëllezërve të tyre në Kosovën e robëruar. Përkundrazi, thoshin ata, madje këtu ne pritemi miqësisht nga të dërguarit e gazetave, të radiove dhe të televizioneve të huaja, të cilat na japin mundësinë që të komunikojmë me botën mbarë, të popullarizojmë çështjen e Kosovës, të ngremë zërin në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare në Kosovë dhe t’i tregojmë gjithë njerëzimit se ç’bishë e shëmtuar është ujkonja serbomadhe – Jugosllavia.
Ky do të jetë veçanërisht qëllimi i demonstratës së Nju-Jorkut. Ata nuk pritnin që demonstratat, ose aktivitetet e tyre që organizoheshin në mbrojtje të Kosovës, të jepnin rezultate të menjëhershme, se bota akoma nuk ishte në dijeni rreth së vërtetës se çfarë ndodhte në Kosovë. Veç kësaj, disa fuqi të caktuara, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, ende nuk ishin të interesuara që të dilnin si kampione të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. Ne, shqiptarët, për terrorin serb të ushtruar ndaj të tjerëve, kemi njohuri dhe kemi një përvojë të hidhur në këtë çështje, pra nuk çuditemi kur shikojmë se si heshtin këto fuqi sot, edhe kur ne në Kosovë (shqiptarët), grihemi në plumba, se ishin pikërisht ato fuqi që më 1945 ia dhanë me të dy duart Kosovën Jugosllavisë.
Po këmbëngulja e mërgatës dhe përpjekjet e vazhdueshme të kombinuara dhe energjike do të ndikojnë që gjendja të ndryshojë në favor të shqiptarëve. Mërgata gjithmonë porosiste: Ne nuk duhet të lodhemi, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të na zërë gjumi. Ne duhet të shpartallojmë propagandën, ta çjerrim përpara botës maskën e shovinizmit kolonial serb dhe të izolojmë nëpër vrimat e tyre minjtë e infektuar të agjenturës jugosllave këtu në Perëndim.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstratën e Nju-Jorkut do të jetë një manifestim i fuqishëm i të gjithë shqiptarëve dhe do të jetë edhe një dëshmi e gjallërisë dhe e vitalitetit të idealit të shqiptarizmës.
Ishte marrë vendim dhe ishin bërë përgatitjet që një literaturë e gjerë do t’u shpërndahej mërgimtarëve me rastin e organizimit të kësaj demonstrate. Ishte bërë mobilizimi i të gjithë aktivistëve, i të gjithë njerëzve të penës, i të gjitha organeve të shtypit dhe radioemisioneve në gjuhën shqipe, të gjitha partitë dhe organizatat politike, të gjitha institucionet fetare dhe mbarë masa e popullit në mërgim, ishin mobilizuar dhe u përpoqën të gjithë së bashku që të dilnin me sukses dhe të nderuar në këtë demonstratë.
Peticion dërguar Kombeve të Bashkuara
Një komision i posaçëm në Detroit kishte përpiluar tekstin e një peticioni, i cili do t’u dërgohej Kombeve të Bashkuara. Pasi ishte shqyrtuar dhe aprovuar në një mbledhje të zgjeruar, peticioni i ishte shpërndarë në mijëra kopje gjithë mërgatës shqiptare. Peticioni u bënte thirrje Kombeve të Bashkuara që të shqyrtonin sa më shpejt çështjen e Kosovës dhe të ndërhynin sa më shpejt që është e mundur që të ndalonin terrorizmin ndaj shqiptarëve të Kosovës nga autoritetet jugosllave dhe të ushtronin influencën e vet që të bindnin ato autoritete që të pranonin krijimin e Republikës së Kosovës.
Çdo shqiptar, çdo anëtar i familjeve shqiptare, kudo në botë, e kishte për obligim dhe për detyrë dhe duhet ta ketë për nder që të firmosë një dokument të tillë me rëndësi kombëtare, porosiste këshilli për organizimin e peticionit.
Për të mos krijuar keqkuptime, duhet shpjeguar që peticioni nuk ishte vepër e ndonjë partie, ose e ndonjë individi ose grupi individësh. Kushdo që hidhte firmën, konsiderohej si autor i dokumentit. Komisioni që e shpërndau peticionin mbante vetëm një përgjegjësi formale si përpilues i tekstit.
Më datë 30 gusht 1981, ditën e diel, në qytetin e Detroitit ishte organizuar një demonstratë e madhe nga mërgata shqiptare që jetonte në këtë qytet dhe në rrethinën e tij. Veç këtyre, në këtë tubim të madh antijugosllav e antikomunist, kishin marrë pjesë edhe shumë shqiptarë nga shtete të tjera të Amerikës. Kishte të tillë që kishin ardhur enkas edhe nga Kanadaja e vende të tjera. Qëllimi i demonstratës ishte që të denoncoheshin në mënyrë të hapur aktet çnjerëzore të komunistëve serbomëdhenj kundër popullit shqiptar në Kosovë.
Mbas demonstratave që ishin organizuar anekënd Amerikës, si në Uashington, në Nju-Jork, Çikago, Kaliforni dhe në Toronto të Kanadasë, po ashtu edhe në Australi e në të gjitha qytetet kryesore të Evropës Perëndimore, edhe shqiptarët në Detroit e kishin parë të nevojshme që të organizonin një demonstratë dhe t’u tregonin vëllezërve nga Kosova se nuk janë të vetëm.
Komisioni i cili e kishte marrë përsipër organizimin e demonstratës, kishte përgatitur dhe kishte shpërndarë një thirrje ku thuhej: “I bëjmë thirrje mbarë emigracionit nacionalist, antikomunist shqiptar që të marrë pjesë pa rezervë. Po të marrin parasysh që studentët dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën dhe u përleshën me ushtrinë serbe ditë e natë, javë e muaj me radhë, dhe mijëra prej tyre dhanë jetën për idealet e shenjta shqiptare (sipas shtypit botëror, po sjellim shembull gazetën austriake “The Evening Standard”, e cila njofton për më shumë se 10.000 të vrarë), atëherë si të mos mundemi ne të dalim në një manifestim paqësor, në një ditë pushimi, në këtë vend të lirë, që na i jep të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore?
Arsyeja që demonstrata bëhej në ditën e diel, ishte se po këtë ditë ishte dita kryesore e një festivali jugosllav të organizuar dhe të drejtuar prej qeverisë komuniste të Beogradit.
Sipas revistës “Krahu i Shqiponjës”, kësaj thirrjeje iu përgjigjën më shumë se 600 veta. Numri më i madh i demonstruesve kishte ardhur nga Çikagoja. Demonstrata e Detroitit kishte pasur një jehonë të madhe, si te mërgata shqiptare ashtu edhe te vetë qytetarët e Detroitit. Por ajo që edhe ishte qëllimi i këtij manifestimi, demonstruesit kishin arritur që të paralizonin plotësisht të ashtuquajturin “Festivalin Jugosllav”, që zhvillohej atë ditë në Detroit. Stacionet kryesore të televizionit, gazetat e qytetit dhe stacionet e radiove i kushtuan demonstratës një vëmendje të posaçme gjatë dy-tri ditëve në vazhdim, duke e lënë nën hije krejt manifestimin e qeverisë jugosllave.
Në dy faqe të revistës “Krahu i Shqiponjës”, në vazhdim prezantohen një mori fotografish nga manifestimi i demonstratave që ishin organizuar më 30 gusht në Detroit. Në fotografi paraqiten edhe demonstruesit shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Janë prezantuar kryetari i Komisionit për organizimin e demonstratës, Gjon Lulgjuraj, Dom Prenk Camaj, Zef Kolë Mëhilli. Po ashtu duhet theksuar se në këtë demonstratë marrin pjesë edhe kroatët dhe në një fotografi dukej edhe flamuri kroat duke valëvitur pranë atij shqiptar.
“Lajmëtari i lirisë” denoncon udbashët
Ishte viti i dytë që botohej revista, “Lajmëtari i lirisë” 1981. Kosova ziente nga brenda. Atdhetarët e parandienin dhe punonin me të madhe për këtë. Prandaj, jo rastësisht në faqen e parë të saj është botuar artikulli “Kështu na “uron” UDB-ja Vitin e Ri”. Autori anonim shkas për këtë shkrim ka faktin pasi mërgimtarët vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Por, pushtetarët mendonin ndryshe dhe këto festa i shfrytëzonin që sa më shumë shqiptarë të torturonin dhe t’i merrnin në biseda informative. Një gjë të tillë tmerri e llahtari e përjetoi edhe vetë atdhetari Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës. Ai ishte një burrë trim dhe i gatshëm për sakrifica. Atje larg në kurbet e kishte marrë malli për prindërit e familjen e tij. Edhe pse e dinte se çfarë situate e rëndë po mbretëronte në Kosovë, kishte vendosur që të vinte në shtëpi, të çmallej me të dashurit e vet. Qëllimi i mirë ishte nga ana e Hysen Gegës, por edhe udbashët kishin qëllimet e tyre. Një kohë të gjatë ishin përgatitur si ta fusnin Hysenin në rrjetin e tyre. (Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)