ORGANIZIMI I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS NË PRESHEVË, ISHTE PERFEKT

10 dhjetor 2024 | 18:06

Idealistët nuk e kishin përkufizuar Kosovën në kufijtë e saj administrativ, ata trojet shqiptare tw okupuara nga ish Jugosllavia i shihnin të bashkuara

Mirëmëngjesi dhe tungjatjeta o Ismet Sylejmani
Ky shkrimi juaj nxitë emocionet dhe ringjall kujtimet e së kaluarës, kujtimet e rrugëtimit tonë të vështirë por të lavdishëm.
E vërtetë se gjatë këtij rrugëtimi jeta më ka përballur me ashpërsinë e saj por në horizont gjithmonë jeta më ka shfaqur lirinë, një rreze drite kaq shumë të çmuar dhe të dashur.
Këtë rrugë kam ndjekur.
Këtë rrugë ma mësoi babai im, ma trasoi vëllai im i madh dhe unë e ndjeka me përkushtim.
Unë e pranoj se jam rritur në burgun e Leskovcit, aty kam lëshuar shtat dhe aty kam nxënë dije.
Burgu për mua ishte shkolla e mesme e ndërprerë në gjysmë dhe fakulteti që duhej ta regjistroja.
Paramendoje nxënësit që pyetej nga profesori dhe mua që pyetesha nga inspektori udbash!
Paramendoje studentin në ligjërata dhe mua në “ligjëratat” psikofizike të udbashëve serb!.
“Aty (në burg) unë isha pinjolli gladiator, këmbëzbathur e duar lidhur – që qëndroja përballë egërsirave karpatiane”, ku shpeshherë vdekja ishte më e ëmbël se jeta.
Por unë tani më isha futur në një proces që nuk isha më vetëm, nuk kisha të drejtë të mendoja për jetën time, për trupin tim. Prapa meje kisha shokë që kishim bashkëvepruar bashkë, kishim një nismë që eventualisht po ta devijoja do të më bënte me turp, kisha familjen që me qëndrimin tim doja t’i bëja të fortë e krenar. Në këto raste, jeta dhe vdekja ishin bërë bashkë dhe synonin lirinë.
Pas daljes nga burgu dhe ri kyçja ime në organizimin ilegal kombëtar, në këtë rrugë të shenjt, aty në mesin e të tjerëve të gjeta edhe Ty shoku Ismet.
Më 1987 te konviktet, saktësisht Barakat e studentëve, barakat përdhese, aty ku unë sa herë hyja, më dukej sikur hyja në Shqipëri.
Ndeja me Xhevat Qerimi, Abdyl Bajramin, Fehri Qerimin, Ejup Ymerin, Ekrem Qerimin……..


Mos harro se e mbaj mend mirë edhe Mullirin e Prapashticës.
Unë isha ulur afër derës së daljes dhe përballë meje, në kryevendin e odes, ana e majtë ishin ulur udhëheqësit dhe organizatorët e kësaj Konference….
E mbaj mend mirë debatin e juve të mëdhenjve.
Shpeshherë ngushtohesha, sepse debati i juaj nganjëherë “nxehej”.
A afër meje, ulur akoma më afër derës, një bashkëpjesëmarrës më portretizoi në një copë letre.
Pra, në ato kohëra unë ju ndiqja juve aty ku ishe edhe ti shoku Ismet, deri sa mora përgjegjësin për punën time në terrenin tim.
Megjithatë, puna ishte e ndërlidhur dhe ne kemi bërë shumë punë bashkë, deri në formimin, konsolodimin dhe shtrirjen e UÇK-së, si kryevepër e luftës sonë për çlirim e bashkim kombëtar, ani pse lufta mbaroi në atë mënyrë.
E një nga punët tona të përbashkëta ka qenë edhe trakti i shkruar nga ju për thirrje të shqiptarëve të Preshevës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë në Dhjetor të vitit 1993.
Në atë kohë u bën dy lloje trakte.
Trakti i shkruar nga ju që kishim vendosur ta shpërndanim në tubimin e partive politike shqiptare (PVD dhe PDSH) të mbajtur në shtëpinë e kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, dhe një tjetër i shkruar nga unë për ta lexuar në binë, në po të njëjtin tubim.
Deri sa unë e lexoja dhe audienca ishte përqendruar tek unë, anëtarët e LPK-së e shpërndan traktin në masë, në audiencë. Organizimi i LPK-së ishte perfekt dhe salla prej më shumë se 500 pjesëmarrësve ishte tërësisht e kontrolluar nga anëtarët e LPK-së, të gjithë të përgatitur për çfarëdo situate që mund të krijohej.
Të nesërmen, gazetari i “Rilindje” M.M. shkroi se “në Preshevë ekziston edhe një forcë e tretë politike e cila nuk pajtohet me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet serbe”.
Por ti, sot e asaj dite më ke borgj, sepse edhe pse erdha enkas nga Presheva në Cërnicë për të të pyetur se “kush është Sokol Gashi” që në “Zërin e Kosovës” kishte botuar traktin e shkruar nga ju, ti nuk më tregove, ani se më përcolle në këmbë deri në rrugën magjistrale Gjilan – Ferizaj.
Sot, konsideroj se unë dhe Presheva kemi mbetur në gjysmë të rrugës, akoma pa liri. Lirinë e Kosovës e çmojmë dhe e vlerësojmë, sepse kontribuues ishim edhe ne.
Në veçanti vlerësojmë aktivitetet tuaja edhe të pasluftës, sidomos aktivitetit tuaj në nderimin, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës, që është një vepër e admirueshme për të gjithë ne, shokët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët tuaj.
Shëndet e gjithë të mirat

Shaqir Shaqiri,
Prishtinë, 10.12.2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se do të parashtroj…