Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

14 dhjetor 2022 | 13:12

Prof. ass. dr. Skender Zhitia 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, organizatë politiko-ushtarake, zë një vend me rëndësi të veçantë në kuadër të historisë bashkëkohore të popullit shqiptar në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XX. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila kishte tejkaluar kufijtë rajonalë të territorit të brendshëm të Kosovës, ka një zanafillë në përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar për liri, e cila ndërlidhet me gjendjen e përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike e, mbi të gjitha, në ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Duke mos mohuar asnjë nga përpjekjet e mëhershme për çlirim, pas rior­ganizimeve të lëvizjeve të fshehta kombëtare, në fund të viteve tetë­dhjetë të shek. XX shtohen veprimet e organizuara ushtarake, të cilat mund të themi se janë zanafilla apo parahistoria e UÇK-së.[1] Referuar burimeve të ndryshme të kohës në fillim të organizimit të UÇK-së, janë disa vendime të mbledhjeve të fshehta të atdhetarëve, bartësve të organizmit të fshehtë të Lëvizjes Kombëtare si: në Prapashticë, në Ujmir e në Kizhnarekë gjatë vitit 1991, në Kollare e Prishtinë gjatë vitit 1993, të cilat quan deri te formimi i krahut ushtarak për çlirimin e Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi.[2] Së këndejmi, jetësimi i këtij segmenti të veprimtarisë së saj pasoi me formimin e strukturave ushtarake dhe organeve drejtuese, fillimisht të Shtabit Qendror të UÇK-së në vitin 1994 dhe Shtabit Operativ në vitin 1995.[3]

Në fillimet e organizimit, nga 17 nëntori i vitit 1994 e deri më 28 nëntor 1997,[4] UÇK-ja ngjason me organizimet e fshehta politike të shqiptarëve kundër pushtetit jugosllav të viteve ’80, që vepronte në mënyrë guerile, sipas taktikës “godit e tërhiqu” apo, thënë ndryshe, “kryente sulme të papritura në kohë dhe hapësirë”.[5]

Ndërkohë, UÇK-ja shpalosi sheshazi para popullit shqiptar dhe opinionit ndërkombëtar synimin dhe misionin mbi luftën e domosdoshme. Misioni i UÇK-së i përcaktuar mbi synimin ishte zhvillimi, drejtimi, koordinimi dhe udhëheqja e të gjitha veprimeve ushtarake në luftën për çlirimin e Kosovës nga forcat pushtuese serbo-jugosllave, mbrojtja dhe mbështetja e popullsisë civile, si dhe angazhimi në proceset politike e diplomatike rreth statusit të ardhshëm politik të Kosovës.[6] UÇK-ja, për ta përmbushur mis­io­nin, në zhvillim e sipër ka ngritur një strukturë të organizimit, e cila i ka mundësuar komandimin dhe kontrollin nga njësitet taktike deri në nivelin strategjik e politik. UÇK-ja në rrethanat e strukturimit kishte vështirësi në komandim, komunikim, shtrirje dhe organizim të njëkohshëm në tërë territorin e Kosovës. Por, pavarësisht prej vështirësive, UÇK-ja u bë shembull i organizimit të një guerileje e cila po bënte përpjekje të kalonte në forma­cione të ushtrive të strukturuara dhe të luftonte për çlirim, duke respektuar konventat ndërkombëtare të luftës.

Si në çdo organizatë ushtarake, edhe në UÇK komandimi dhe kontrolli ishin elemente thelbësore të artit dhe të shkencës së luftës. Komandimi ishte akti autoritar i marrjes së vendimit dhe urdhrit të veprimit luftarak, ndërsa kontrolli ishte akt i mbikëqyrjes së këtij veprimi dhe ndikimi mbi të. Me qëllim të marrjes së këtyre vendimeve, në kuadër të UÇK-së u for­muan shtabet, nga Shtabi i Përgjithshëm e deri në nivel batalioni, shtabe të cilat kishin për qëllim ta ndihmonin komandantin që ai të merrte dhe të zbatonte vendime në interes të fitimit të luftës dhe çlirimit të vendit.

Shtabi i Përgjithshëm ishte organi më i përgjegjshëm i UÇK-së në rrafshin organizativ, politik dhe ushtarak. Ai ishte përbërësi i strukturës më të lartë organizative e ushtarake dhe kryente komandën unike në UÇK.[7] Duke pasur parasysh se Shtabi duhej të funksiononte si një trup kompakt, me staf profesionist, i cili njeh detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e tij, UÇK-ja ndërtoi një strukturë të Shtabit të Përgjithshëm, e cila mbajti bashkërendim dhe bashkëpunim si brenda vetes ashtu edhe me shtabet e njësiteve më të ulëta. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së udhëhiqej nga komandanti i UÇK-së, i cili kishte dy zëvendëskomandantë: zëvendëskomandant për opera­cione dhe zëvendëskomandant për mbështetje,[8] pastaj ishin edhe inspektori gjeneral si dhe shefi i kabinetit të komandantit.[9]

Komandanti i UÇK-së autoritetin e tij komandues/kontrollues e ushtronte nëpërmjet delegimit të përgjegjësisë te shefi i Shtabit, që komandonte drej­toritë: Drejtorinë e Personelit, Drejtorinë e Shërbimit Informativ, Drejtorinë Operative, Drejtorinë e Logjistikës, Drejtorinë e Marrëdhënieve Publike dhe të Administratës Civile, Drejtorinë e Komunikimit dhe Ndërlidhjes, Drejtorinë e Financave dhe Ekonomisë, Drejtorinë e Policisë Ushtarake dhe Drejtorinë Politike.[10]

Gjithashtu, me qëllim të krijimit të kushteve për organizim dhe planifikim luftarak, janë ngritur njësitet mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Njësitet mbështetëse apo pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ishin: Batalioni Diversant Vëzhgues, Batalioni i Policisë, Kompania e Logjistikës, komandant Idriz Hysenaj; Mjekësia, komandant Fadil Beka, Kompania e Komunikimit, Brigada 60, Fondi “Vendlindja thërret”, Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” dhe Batalioni “Atlantiku” Gani Shehu.

Misionin e saj në tërë territorin e vendit UÇK-ja e realizonte nëpërmjet zonave operative. Deri më 18 nëntor të vitit 1998 Kosova ishte një Zonë Ushtarake e UÇK-së, e organizuar në shtatë nënzona operative, të cilat u shndërruan në zona operative, si: Zona Operative e Drenicës, e Pashtrikut, e Dukagjinit, e Shalës, e Llapit, e Neredimes dhe e Karadakut.[11]

Zona Operative e Drenicës (ZOD) gjeografikisht shtrihej në pjesën qen­drore të Kosovës. Ajo kufizohej në veri dhe verilindje me Zonën Operative të Shalës (ZOSh), në lindje me Zonën Operative të Llapit (ZOLL), në juglindje me Zonën Operative të Nerodimes (ZON), në jug me Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP), dhe në jugperëndim me Zonën Operative të Dukagjinit (ZODGJ).* Zona Operative e Drenicës është nismëtarja dhe kushtrimi i themelimit dhe shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në territorin e përgjegjësisë së ZOD kanë vepruar katër brigada: Brigada 111 “Adem Jashari”, Brigada 112 “Arben Haliti”, Brigada 113 “Mujë Krasniqi” dhe Brigada 114 “Fehmi Lladrovci”.[12]

Zona Operative e Pashtrikut gjeografikisht shtrihej nga pjesa qendrore deri në pjesën jugore të Kosovës. Ajo kufizohej në pjesën veriore me Zonën Operative të Drenicës, në veri dhe verilindje me Zonën Operative të Nero­dimes, në juglindje dhe jug me Maqedoninë e Veriut, në jugperën­dim me Shqipërinë dhe në perëndim me Zonën Operative të Dukagjinit. Në territorin e përgjegjësisë së ZOP-it kanë vepruar pesë brigada: Brigada 121 “Ismet Jashari (Kumanova)”, Brigada 122 “Imer Krasniqi”, Brigada 123 Brigada 124 “Gani Paçarizi” dhe Brigada 125. Në themelim kanë qenë edhe dy brigada, Brigada 126 dhe Brigada 127/28.[13]

Zona Operative e Dukagjinit (ZODGJ) gjeografikisht shtrihej në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Ajo kufizohej: në pjesën juglindore me Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP), në verilindje me Zonën Operative të Drenicës (ZOD), në veri me Zonën Operative të Shalës, në perëndim me ish-Republikën e Malit të Zi dhe Serbinë dhe në jugperëndim me Shqipë­rinë. Në kuadër të strategjisë së luftës së UÇK-së, në territorin e përgje­gjësisë së ZODGJ-së janë themeluar tetë brigada: Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Brigada 132 “Myrtë Zeneli”, Brigada 133 “Adrian Krasniqi”, Brigada 134 “Bedri Shala”, Brigada 135 “Agim Zeneli”, Brigada 136 “Rugova”, Brigada 137 “Gjakova” dhe Bri­gada 138 “Agim Ramadani”.[14]

Zona Operative e Shalës (ZOSh) gjeografikisht shtrihej në pjesën veri­perëndimore të Kosovës. Ajo kufizohej: në verilindje me Zonën Operative të Llapit (ZOLL), në veri dhe veriperëndim me Serbinë dhe Zonën Opera­tive të Dukagjinit ( ZODGJ) dhe në jug me Zonën Operative të Drenicës (ZOD). Në kuadër të strategjisë së luftës së UÇK-së, në territorin e përgjegjësisë së ZOSh-së janë themeluar dy brigada: Brigada 141 “Mehë Uka” dhe Brigada 142.[15]

Zona Operative e Llapit (ZOLL) gjeografikisht shtrihej në pjesën veri­lindore të Kosovës. Ajo kufizohej: në verilindje me Serbinë, në juglindje me Zonën Operative të Karadakut (ZOK), në jug me Zonën Operative të Nerodimes (ZON), në jugperëndim me Zonën Operative të Drenicës (ZOD) dhe në veriperëndim me Zonën Operative të Shalës (ZOSh). Në kuadër të strategjisë së luftës së UÇK-së, në territorin e përgjegjësisë së ZOLL-it ishte planifikuar themelimi i tri brigadave: Brigada 151 “Zahir Pajaziti”, Brigada 152 “Shaban Shala” dhe Brigada 153 “Hyzri Talla”.[16]

Zona Operative e Nerodimes (ZON) gjeografikisht shtrihej nga pjesa qendrore deri në pjesën juglindore të Kosovës. Ajo kufizohej: në pjesën veriore me Zonën Operative të Llapit (ZOLL), në lindje me Zonën Ope­rative të Karadakut (ZOK), në juglindje dhe jug me Maqedoninë e Veriut, në jugperëndim me Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP) dhe në veri­perëndim me Zonën Operative të Drenicës (ZOD). Në territorin e përgje­gjësisë së ZON-it kanë vepruar tri brigada: Brigada 161 “Ahmet Kaçiku”, Brigada 162 “Agim Bajrami” dhe Brigada 163 “Gafurr Loku”.[17]

Zona Operative e Karadakut (ZOK) gjeografikisht shtrihej në pjesën lindore të Kosovës. Kufizohej: në pjesën veriperëndimore me Zonën Ope­rative të Llapit (ZOLL), në lindje me Serbinë, në juglindje me Maqedoninë e Veriut, në jugperëndim dhe perëndim me Zonën Operative të Nero­dimes. Në territorin e përgjegjësisë së ZOK-ut kanë vepruar tri brigada: Brigada 171 “Kadri Zeka”, Brigada 172 “Isa Kastrati” dhe Brigada 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”.[18]

Për nga strukturimi dhe organizimi në terren, krahasuar me organizimet e tjera ushtarake, zonat operative të UÇK-së kishin një organizim dhe strukturë të përafërt të një divizioni standard ushtarak. Ndarja e përgje­gjësisë territoriale të zonave operative ishte në përputhje me ndarjen stra­tegjike të veprimit të UÇK-së, gjithnjë të sinkronizuara dhe në bashkë­punim ndërmjet zonave, në mbështetje dhe në veprime luftarake të përba­shkëta.

Zonat operative të UÇK-së organin më të lartë komandues dhe të kon­trollit e kishin Shtabin e Zonës, përmes të cilit komandoheshin njësitet taktike, siç janë brigadat, ku në territorin e përgjegjësisë së tyre kishin dy deri në tetë brigada.[19] Formimi dhe strukturimi i zonave operative nuk ishte i njëkohshëm, por në përputhje me zhvillimin e luftimeve, në për­puthje me strategjinë e organizimit të UÇK-së, në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të organizimit në periudha të ndryshme kohore.*

Brigadat e zonave operative në territorin e përgjegjësisë së veprimit si njësite taktike, në strukturën e tyre kishin deri në katër batalione, e bata­lionet përbëheshin nga kompanitë, togjet dhe skuadrat. Nga maji i vitit 1999 në të gjitha zonat operative të UÇK-së janë themeluar batalionet gardiste, të cilat kishin për detyrë ndërhyrjet e shpejta dhe sulmuese.[20]

Gjatë luftës çlirimtare UÇK-ja ka përdorur dhe ka bartur flamurin iden­tifikues, flamurin kombëtar, flamurin me sfond të kuq, në mes shqiponjën e zezë dykrenare, si dhe ka kënduar himnin (“Himnin e flamurit”). Gjith­ashtu, në rrugëtimin e UÇK-së e rëndësishme është emblema, e cila u dizajnua dhe filloi të prodhohet në fillimin e marsit të vitit 1998. Emblema kishte elemente kombëtare dhe luftëtarët e UÇK-së në uniformat e tyre bartnin dy lloj emblemash: atë të kraharorit dhe të kapelës. Ushtarët e UÇK-së, si në rrethana lufte, gjatë trajnimeve, po edhe gjatë jetës në obje­ktet ushtarake, bartnin uniformën e cila ishte uniformë kamuflazh dhe përbëhej nga xhaketa, këmisha, pantallonat, kapela me strehë, bereta dhe çizmet.

Luftëtari (ushtar dhe oficer) i UÇK-së ishte shembull i një personi vigji­lent, i kujdesshëm dhe besnik, si në detyrën dhe përgjegjësinë para eprorit dhe bashkëluftëtarëve të vet, i gatshëm të sakrifikohej për bashkëluftëtarin dhe për atdheun. Luftëtari i UÇK-së ishte vullnetar, simbol i të gjitha tro­jeve shqiptare nga jugu e në veri, nga lindja e në perëndim, i të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve, një person i cili gjithçka i kushtonte çlirimit të Kosovës. UÇK-ja, me rekrutimin e luftëtarëve, organizonte traj­nime përgatitore, të cilat, në kuadër të planeve dhe programeve, kishin për qëllim përgatitjen psiko-fizike, taktike dhe operative të luftëtarëve.[21]

Pas përfundimit me sukses të këtyre trajnimeve, organizohej betimi i luf­tëtarit të UÇK-së: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem”.[22] Në tekstin e betimit shihen gatishmë­ria, besnikëria, vigjilenca, guximi, disiplina e luftëtarit të UÇK-së për çliri­min e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre, si dhe pranimi i dënimit kapital në rast të mospërmbushjes së betimit.

Luftëtarët e UÇK-së në betejat si e Rrezallës, Likoshanit, Prekazit, Gllo­gjanit, Llapushnikut, Jezercit, Rahovecit, Kaçanollit, Llapashticës, Mazhiqit, Oshlanit, Zhegocit, Koshares etj. treguan vlerat mbi të cilat u kalitën dhe u bënë shembulli më i mirë se si luftohet dhe si sakrifikohet për atdheun. Ata me hero­izmin e pashoq dhe me rëniet e tyre u bënë themel i lirisë dhe i shtetësisë së Kosovës. Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së ranë 2 132 dëshmorë, u plagosën 2 019 .[23]

UÇK-ja, që nga 4 janari, përmes institucioneve informative si Agjencia Kosovapress dhe Radiostacioni Kosova e lirë, njoftonte opinionin e brend­shëm dhe atë të jashtëm për luftën e drejtë çlirimtare, për betejat heroike, rëniet dhe heroizmat e luftëtareve dhe për strategjinë liridashëse të UÇK-së e cila po shkonte drejt sendërtimit të aspiratës kombëtare.

Jakup Krasniqi rreth rolit të këtyre dy institucioneve në atë kohë thoshte: Këto institucione kanë për detyrë e qëllim për t’ujapin zërin meritor pushkëve të lirisë, që me zë e shkrime të njoftojnë opinionin e brendshëm e të jashtëm për luftën e drejtë çlirimtare të popullit dhe ushtrisë së tij, për t’i treguar sukseset e luftës në tërë Kosovën, për të bërë të njohur strategjinë tonë liridashëse. Kjo punë që po nis sot është edhe një dëshmi tjetër se UÇK-ja seriozisht e sinqerisht po lufton për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës, që po shkon drejt sendërtimit të aspiratës sonë kombëtare.[24]

Në pikëpamje historike, ushtarake, politike dhe diplomatike, UÇK-ja ishte projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shek. XX. Ajo, me luftën e drejtë dhe të domosdoshme kundrejt forcave pushtuese, së bashku me faktorin rele­vant ndërkombëtar, i dha fund gjenocidit mbi popullin shqiptar në Kosovë. Prandaj, UÇK-ja përfaqëson një epokë të rëndësishme historike për popu­llin shqiptar në Kosovë dhe marrëdhëniet ballkanike, evropiane e botërore. Lufta e saj zgjidhi përfundimisht statusin politik e juridik të Kosovës.

[1] Hashim Thaçi, programi dokumentar i RTK-së kushtuar dëshmorit Afrim Zhitia, viti 2002; Shkëndijat e një lufte të armatosur i hasim gjatë gjithë shek. XX. Duke mos mohuar asnjë nga këto shkëndija që u bartën gjithandej Kosovës, do t’i veçoja: Luftimet e Çetës së Llapit, dhe rënien heroike të Ali Ajetit, në Labarion (Shtedim) të Besianës (Podujevës, më 30 maj 1989); Rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 2 nëntor 1989 në Kodër të Diellit në Prishtinë; sulmi i forcave pushtuese serbe në familjen Jashari më 30 dhjetor 1991; si dhe lufta dhe rënia heroike e Hasan Ramadanit nga Albaniku (Shajkovci) i Besianës (Podujevës) më 7 gusht 1994.

[2] Skender Zhitia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës-Zona Operative e Llapit, Prograf, Prishtinë, 2008, f.49, 50 (Më tej: Zhitia, UÇK-ZOLL). Më 2 shkurt të vitit 1991 në fshatin Prapashticë (në shtëpinë e Bajram Prapashticës), komuna e Prishtinës, është organizuar Konferenca e Dytë e LPRK-së. Kjo ka qenë konferencë e jashtëzakonshme, pas gjendjes së krijuar, kur në udhëheqjen e Organizatës ishin krijuar tri vende të lira. Është zgjedhur Komiteti Drejtues prej pesë vetave. Në komitet janë zgjedhur: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Ismet Sylejmani dhe Halit Krasniqi. Është aprovuar platforma e punës. Është marrë vendim që të vazhdohet veprimtaria në formën klandestine dhe aty ku ka mundësi të kombinohet me praktikat legale të veprimit. Është vendosur që menjëherë komiteti ta fillojë punën e përgatitjes së Mbledhjes së Përgjithshme të LPRK-së dhe Këshilli Drejtues i LPRK-së të formohet brenda vendit. Më 4 tetor të vitit 1991 në Ujëmirë të Klinës është mbajtur Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së. Nga kjo mbledhje është zgjedhur Këshilli Drejtues i përbërë nga 17 anëtarë. Më 11 tetor 1991 në Ndrekaj (Kizharekë), në shtëpinë e Azem Sylës, mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues, i cili zgjedh kryesinë. Gani Syla, kryetar, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Guximtar Labenishti nga Struga dhe Hidajete Krasniqi, anëtarë të kryesisë. Më 25 dhjetor arrestohet Halil Selimi. Pas kësaj ngjarjeje një pjesë e udhëheqjes kalon në ilegalitet të thellë (Xhavit Haziri, Azem Syla, Ramadan Avdiu) në prill 1993. Në Kollare të Kërçovës mbahet mbledhja konsultative e LPRK-së, ku marrin pjesë: Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Behajdin Hallaçi, Adem Grabovci, Halil Selimi, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Binak Berisha, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Behxhet Luzha, Fatmir Brajshori etj. Në këtë takim u lëshuan konkluzionet, sipas të cilave, LPRK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtuesve. Gjithashtu, u krijua Grupi i Organizimit dhe Riorganizimit (GOR), i cili u ngarkua me detyrë për ta organizuar Mbledhjen IV të Përgjithshme të LPRK-së. Grupin e përbënin: Ramadan Avdiu, kryetar i grupit, anëtar Hashim Thaçi, Adnan Asllani, Bilall Sherifi dhe një person nga Maqedonia. Grupi i Organizimit të Mbledhjes IV të Përgjithshme të LPRK-së, pas përgatitjeve të duhura, më 26-27 korrik 1993, në Kodër të Trimave në Prishtinë, në shtëpinë e Fatmir Brajshorit, organizon Mbledhjen IV të Përgjithshme të LPRK-së.[2] Në këtë mbledhje marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Bilall Sherifi, Mehmet Bislimi, Halil Selimi, Adnan Asllani, Xhemail Rudi, Guximtar Labenishti, Ejup Thaçi, Mustafë Krasniqi, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, si dhe delegatët nga Dega Jashtë Vendit: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, Bilall Sherifi e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Mbledhjen e ka udhëhequr kryesia e punës në përbërje: Fazli Veliu, Xhavit Haziri dhe Adnan Asllani. Mbledhjen e kishte shpallur të hapur delegati më i vjetër Fazli Veliu, ndërsa procesverbalin e kishte mbajtur Emrush Xhemajli. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare, si dhe ndërrohet emri nga LPRK në LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës). Në program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Vendime të tjera ishin: Aprovimi i rezolutës, sipas së cilës, lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPRK-sëdhe formimi i krahut ushtarak. Në krahun ushtarak u caktuan: Azem Syla e Xhavit Haziri në Kosovë, ndërsa Xhavit Haliti u autorizua që të merrej me procesin e organizimit ushtarak në Shqipëri dhe në diasporë. Për të jetësuar këto vendime u organizuan takime me drejtuesit brenda dhe jashtë vendit. Gjatë takimeve në Prishtinë (Nait Hasani takohet me Sokol Bashotën), Tetovë, Tiranë (Naiti takohet me Azem Sylën) e Zvicër (Azem Syla takohet me Xhavit Halitin dhe Ali Ahmetin), merret vendimi përfundimtar për formimin e strukturave ushtarake dhe organeve drejtuese të saj (Shtabi Qendror dhe ai Operativ). Vendim i rëndësishëm për luftën në vazhdim ishte formimi i Fondit “Vendlindja thërret” në vitin 1993. Kryetar i fondit caktohet Jashar Salihu.

[3] Xhavit Haliti, int., gaz. Zëri, f. 42; Nait Hasani: “Të vdesim si burrat dhe, kur të shtien në ne, do të thërrasim: Rroftë pavarësia e Kosovës!”, Zëri, Prishtinë, shtator-tetor 2002, int. është botuar në Libri i Lirisë, Prishtinë, Zëri, 2003, f. 145; Rexhep Selimi në gazetën javore Zëri, dt. 9 tetor 1999, thotë: “Azem Syla ka qenë komandant i UÇK-së që nga fillimi e deri në ndërrimet që u bënë gjatë Konferencës së Rambouilletsë”. Shtabi Qendror i UÇK-së themelohet në vitin 1994. Anëtarët e parë të shtabit ishin: Azem Syla, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Nait Hasani, Xheladin Gashi e Sokol Bashota. Komandant i UÇK-së emërohet Azem Syla, kurse shef i Shtabit Operativ (brenda në Kosovë) emërohet Nait Hasani. Në Prishtinë, në mars-prill të vitit 1995, është krijuar Shtabi Operativ në nivel të Kosovës (plotësimi i tij është bërë në dhjetor të vitit). Anëtarë të Shtabit Operativ ishin: Nait Hasani, Rexhep Selimi, Zahir Pajaziti, Lahi Brahimaj, Sokol Bashota, Bislim Zogaj. Sipas Nait Hasanit, Adem Jashari ishte anëtar i Shtabit Operativ, por për shkaqe objektive nuk merrte pjesë në takimet e Shtabit Operativ. Nait Hasani shkonte e kontaktonte me të në Prekaz. Shtabi Operativ selinë e kishte në Prishtinë, por kishte edhe shumë baza të tjera ndihmëse si në: Divjakë, Sankofc e Kamaran.

[4] Emrush Xhemaili,20 vjet veprimtari, Prishtinë, 2002, faqja e internetit, Lpk-Kosova.com, data e leximit 18.06.2006. Në mbledhjen e Kryesisë së LPK-së, mbajtur (në qytetin Aarau) në Zvicër, më 17 nëntor 1994 u vendos të lëshohej komunikata e parë ushtarake (komunikata ishte vendosur të mbajë nr. 11), si dhe duke pasur parasysh propozimet e grupimeve ushtarake në terren, u mor vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”; Xhavit Haliti: Si e bëmë UÇK-në, Zëri, Prishtinë, shkurt 2001-janar 2003. Int. është botuar në Libri i Lirisë, Prishtinë, Zëri, 2003, f. 42. Në këtë mbledhje të pranishëm ishin Fazli Veliu, Gafurr Elshani, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, të cilët e kanë dizajnuar dhe formën e emërtimit të UÇK-së. Nga kjo kohë njësitë guerile që kanë ekzistuar në Kosovë janë shkrirë e përmbledhur me një emër, organizim, komandë dhe një Shtab Qendror (të Përgjithshëm) të vetëm dhe me një Shtab Operativ, që kanë organizuar dhe drejtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

[5] Jacques Baudouin, Lindja e një demokracie, Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur (1998-2008), Buzuku, Prishtinë, f. 80.

[6] Deklaratë politike nr. 2 e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dt. 29 prill 1998; Gazeta Koha ditore, “Intervistë ekskluzive me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi (1)”, e shtunë, 11.07.1998; Rexhep Selimi, “Përurimi i UÇK-së si i vetmi mjet-forcë për fitimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, kumtesë e lexuar në tryezën shkencore “Yjet e përflakur në themelet e UÇK-së”, organizuar nga ish-Zona e Pestë e TMK-së, më 31 janar 2001; Jakup Krasniqi, “UÇK-ja, një dhe e pandarë”, kumtesë e lexuar në tryezën shkencore “Yjet e përflakur në themelet e UÇK-së”, organizuar nga ish-Zona e Pestë e TMK-së, më 31 janar 2001.

[7]Jakup Krasniqi,fejton politik,Rambuje, një vit pas (10), Zëri, e mërkurë, 16 shkurt 2000.

[8]https://video.gjirafa.com/indoks, intervistë me Jakup Krasniqin, zëdhënës i UÇK-së, qasur më 15 janar 2019.

[9]Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Buzuku, Prishtinë, 2006, f. 135. (Më tej: Krasniqi, Kthesa e madhe); Avdi Raci, bisedë me autorin, Në të dhënat e Departamentit për Marrëdhënie Ushtarako-Civile të SHPTMK-së, viti 2008, e gjejmë si Shërbimi Juridik Ushtarak.

[10] Sipas Jakup Krasniqit, “SHP i UÇK-së që nga fillimi kishte Komandantin e Përgjithshëm, zëvendëskomandantin, shefin e Shtabit, inspektorin gjeneral dhe kryeshefat e disa drejtorive. Pas eskalimit të luftimeve, nga marsi i vitit 1998, konform situatës, është bërë edhe profilizimi i ShP të UÇK-së dhe ndarja e detyrave. Në qershor të vitit 1998 ShP i UÇK-së kishte këto drejtori: Drejtoria Personale e Shërbimit Informativ, Operativ, Financave, Logjistikës, Informimit, Administrimit Civil dhe Ndërlidhjes. Për më shumë shih Jakup Krasniqi, “UÇK-ja, një dhe e pandarë”, kumtesë e lexuar në tryezën shkencore “Yjet e përflakur në themelet e UÇK-së”, organizuar nga Zona e Pestë e TMK-së, më 31 janar 2001; Krasniqi, Kthesa e madhe,f.135-140; Avdi Raci, bisedë me autorin:Në fazën e luftës, gjendjes së krijuar në Kosovë, UÇK-jae shihte të domosdoshme krijimin e institucioneve gjithëpërfshirëse të spektrit politik. Gjithashtu, me qëllim të bashkërendimit të veprimtarisë politike në rrafshin kombëtar dhe pengimin e speku­limeve në këtë rrafsh, ShP i UÇK-së bën publik emrat e përfaqësuesve politikë të UÇK-së (Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Faton Mehmetaj dhe Sokol Bashota). Adem Demaçit i jep besimin e plotë udhëheqës në këtë proces, formimin (Asamblesë Kombëtare) e institucioneve të Kosovës. Për më shumë shih http://www.kosova.com/arkivi1997/arkivat.htm, 13 gusht 1998. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, “Drejtoria Politike”, “Deklarata politike nr. 7”.

[11] Krasniqi, Kthesa e madhe, f.101-134.

*Shtrirja e përgjegjësisë në aspektin gjeografik nuk nënkupton edhe përgjegjësinë operative, faktike në terren. Përgjegjësia është vetëm mbi territorin e kontrolluar (të organizimit dhe funksionimit) nga zonat operative.

[12] Sejdi Geci, bisedë me autorin.

[13] Haxhi Shala, Fadil Hoxha, Selajdin Beqiraj, bisedë me autorin.

[14]Nazmi Brahimaj, Hysen Dreshaj, bisedë me autorin.

[15] Emin Musa, Bajram Uka, Bajram Beqiri, bisedë me autorin.

[16] Kadri Kastrati, Nuredin Ibishi, Muhamet Latifi, bisedë me autorin.

[17] Imri Ilazi, Mentor Zejnullahu, bisedë me autorin.

[18] Shemsi Syla, bisedë me autorin.

[19] Brigadat e zonave operative kanë qenë të koduara apo shifruara sipas renditjes së tyre. Kodifikimi apo shifrimi ka vazhduar nga organizimi para vendimit të 18 nëntorit të vitit 1998. Sqarim, në Zonën Operative të Drenicës, Brigada 114 “Fehmi Lladrovci”, numri i parë (1) tregonZonën e parë e që ishte Kosova, numri i dytë (1) tregon Zonën Operative të Drenicës apo Zonën e Parë dhe numri i tretë (4) tregon numrin e brigadës së krijuar sipas radhës.

* Zonat operative kishin një strukturë organizative sipas standardeve të ushtrive të kohës, e cila përbëhej nga: Komandanti i Zonës, zëvendëskomandanti dhe shefi i Shtabit. Shtabi drejtohej/komandohej nga shefi i Shtabit dhe përbëhej nga sektorët: Sektori i Personelit (Reparti kadrovik, Reparti për plotësimin e formacioneve dhe Reparti i mobilizimit),Sektori i Shërbimit Informativ (Reparti për analiza dhe plane dhe Reparti për mbledhjen e informatave), Sektori Operativ (Reparti operativ, Reparti i planifikimit dhe Reparti i mësimit), Sektori i Logjistikës (Reparti operativ i logjistikës, Reparti për mirëmbajtje, Reparti i furnizimit, Reparti i transportit dhe Reparti i mjekësisë), Sektori i Financave dhe Resurseve, Sektori i Ndërlidhjes dhe Komunikimit, Sektori për Moral dhe Sektori i Mbrojtjes Civile.

[20] Zhitia, UÇK-ZOLL, f. 42.

[21] Zhitia, UÇK-ZOLL, f. 220.

[22] Rregullore e përkohshme, Organizimi i jetës së brendshme në ushtri, kreu I, pika I. Betimi ushtarak. “Betimi ushtarak është një akt solemn, një ngjarje e shënuar në jetën e çdo ushtari me vlera të mëdha njerëzore e kombëtare, morale dhe politike”. Për më shumë shih Krasniqi, Kthesë e madhe, f. 263.

[23] Zhitia, UÇK-ZOLL, f. 83. Numri i tri kategorive mund të ndryshojë, sepse ende ka luftëtarë që trajtohen të zhdukur dhe prej atyre për të cilët nuk është zgjidhur statusi i invalidit apo i të lënduarit.

[24] Qemal Aliu, Agjencia e flakëve të luftës, Kosovapress, Prishtinë, 2004, f. 13-27. Filluan punën agjencia e lajmeve Kosovapress dhe radiostacioni Kosova e lirë, Kosova sot, Prishtinë, 5 janar 1999. Sipas vendimit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të 13 nëntorit 1998, pas përgatitjeve teknike dhe kompletimit me kuadro profesionale, më 4 janar 1999, në fshatin Berishë fillojnë punën dy institucionet e rëndësishme informative. Ishin këto agjencia e lajmeve Kosovapress dhe radioja Kosova e lirë. Agjencinë e lajmeve e udhëhoqi Berat Luzha, kurse radion Ahmet Qeriqi. Në stafin drejtues të këtyre dy institucioneve ishin angazhuar redaktorë, gazetarë e folës si: Martinë Çuni, Qemal Aliu, Nezir Myrtaj, Isa Krasniqi, Nysret Pllana, Ismat Sopi, Habib Zogaj, Besnik Berisha, Valdet Hoti, Metë Bytyçi, Fatmir Dugolli, Riza Berisha etj. Kushtet e luftës nuk lejonin që puna e agjencisë së lajmeve të rrumbullakohej në Kosovë, prandaj në Cyrih të Zvicrës u themelua zyra e agjencisë, të cilën e drejtonte Skënder Krasniqi e ku punonin Bekim Krasniqi e Isak Zhitia. Ndihmesë të madhe në funksionimin e kësaj zyre kanë dhënë: Xhevdet Thaçi, Ilaz Zhitia, Blerim Ejupi, Rexhë Abazi, Fisnik Cukaj, Sabit Veseli, Vesel Krasniqi etj. Kjo zyrë bënte plasimin e lajmeve që vinin nga Kosovapress-i në Kosovë e, në shumë raste, shkaku i kushteve që mbretëronin në Kosovë, këto informacione përcilleshin direkt nga përgjegjësit për informim të zonave të UÇK-së. Skënder Krasniqi pas një kohe të shkurtër kishte arritur që ta hapë përfaqësinë edhe në Tiranë. Në Tiranë përgjegjës caktohet Bekim Çollaku, bashkëpunëtorë Isa Blumi, Iliriana Tahiraj e Naile Selimaj. Kosovapress-i, gjithashtu, kishte korrespodentin në Bruksel, Ekrem Krasniqin dhe në Nju-Jork, Naim Balidemajn. Në Prishtinë, gjithashtu, ishte hapur zyra e Kosovapress-it. Përgjegjës ishte Nuhi Paçarizi, bashkëpunëtorë Jeton Rexha dhe Zenel Hajrizi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të aplikacionit për…