Organizimi i zgjedhjeve në veri nuk do të jetë sfidë
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se në aspektin teknik organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri nuk do të paraqesë sfidë për KQZ-në.
Ajo ka theksuar se nuk pret parregullsi në zgjedhjet e 19 majit meqë Kosova tashmë ka krijuar kulturë zgjedhore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Daka ka deklaruar se pjesëmarrja e subjekteve në zgjedhje është çështje politike, por sa i përket organizimit ajo ka theksuar se këto zgjedhje nuk ka rrezik të dështojnë.
Sidoqoftë, Daka u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre
“Epoka e re”: Znj. Daka, ju ka habitur vendimi për shpalljen e zgjedhjeve në veri ashtu siç u raportua në medie?
Daka: Jo, nuk më ka habitur vendimi i presidentit. Ai është president dhe në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore. Për hir të opinionit dua të sqaroj se deklarata ime është nxjerr nga konteksti. Unë kam folur për vendimet e KQZ-së dhe jo për vendimin e presidentit. Tekstualisht kam thënë se vendimet tona nuk kanë kaluar nëpër këshilla të KQZ-së. As unë dhe as KQZ-ja nuk mund t’i komentojmë vendimet e presidentit. Pra është e drejtë kushtetuese e presidentit që t’i shpallë zgjedhjet.
“Epoka e re”: Kryetare, sa do të jenë sfidues për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ-në) organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 19 maj në veri?
Daka: Organizimi i zgjedhjeve në veri nuk do të jetë sfidë. Deri më tash KQZ-ja ka mbajtur disa herë zgjedhje në pjesën veriore të Kosovës, prandaj konsideroj se nuk do të kemi ndonjë telashe në këtë drejtim sa i përket anës së organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të 19 majit në veri. Tashmë kemi bërë përvojë edhe në atë pjesë të Kosovës dhe besoj se çdo gjë do të shkojë në rregull.
“Epoka e re”: Nuk ka rrezik të dështojë procesi zgjedhor në veri?
Daka: Sa i përket aspektit teknik si KQZ do t’i organizojmë zgjedhjet në veri në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, u mbetet përfaqësuesve të subjekteve politike nëse do të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje. Është çështje politike për të cilën nuk kam kompetenca të flas.
“Epoka e re”: Pjesëmarrja në zgjedhje është çështje politike. Po çfarë pritjesh keni nga ky proces zgjedhor?
Daka: Pavarësisht prej anës politike, unë pres që zgjedhjet e 19 majit të shkojnë mirë dhe qytetarët t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre për kryetarë të komunave ata që mendojnë se janë më të mirët. Shpresoj se i gjithë procesi zgjedhor do të shkojë në rregull, duke e anashkaluar pjesën politike.
“Epoka e re”: Sa ka gjasa që ky proces zgjedhor të dështojë, pra qytetarët të mos dalin në zgjedhje, meqë ata veprojnë sipas direktivave të Beogradit?
Daka: Kjo është çështje politike dhe natyrisht se ndikimi i politikës në vendimmarrjen e tyre do të jetë shumë i madh. Presim të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Si kryetare e KQZ-së nuk dëshiroj që askund në Kosovë të dështojnë zgjedhjet, aq më pak në pjesën veriore. Mirëpo kjo çështje nuk është në duart e mia dhe të KQZ-së.
“Epoka e re”: Në rast se do të mbahen këto zgjedhje, sa ka mundësi që të ketë devijim të procesit, meqë në një farë forme situata atje nuk është në kontrollin e plotë të institucioneve shtetërore të Kosovës?
Daka: Nuk dua ta paragjykoj procesin zgjedhor. E kemi krijuar një praktikë dhe një kulturë zgjedhore, prandaj shpresoj të kemi sukses më 19 maj sikurse në zgjedhjet e kaluara.
“Epoka e re”: KQZ-ja ka filluar përgatitjet e nevojshme për këto zgjedhje, madje ka caktuar pesë ditë fushatë parazgjedhore. Prisni që subjektet politike do t’i respektojnë rregullat dhe ligjin?
Daka: Në zgjedhjet e kaluara janë respektuar rregullat e fushatës në gjithë Kosovën. Natyrisht se ekziston mundësia që diku të ketë pasur ndonjë shmangie nga këto rregulla. Por, megjithatë, u bëj thirrje subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 19 majit dhe kandidatët e tyre për kryetarë të komunave, që t’i respektojnë rregullat zgjedhore, Ligjin për zgjedhjet lokale dhe Kushtetutën.
“Epoka e re”: Keni kërkuar buxhet shtesë për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Përafërsisht, sa do të jetë kostoja e zgjedhjeve në veri?
Daka: Nuk e di pasi aktualisht janë duke u bërë përllogaritjet. Megjithatë, nuk besoj se buxheti do të jetë problem sepse Qeveria e Kosovës gjithmonë na ka ndalë në ndihmë dhe ka marrë vendim për ndarje të mjeteve për zgjedhje të parakohshme.
“Epoka e re”: KQZ-ja nuk është kompletuar tërësisht meqë mungojnë dy përfaqësues të saj. Do të paraqesë problem kjo në këtë proces?
Daka: KQZ-ja është funksionale ani pse mungojnë dy anëtarë tash për tash, mirëpo shpresoj se së shpejti kjo çështje do të zgjidhet dhe do ta kemi përbërjen e plotë ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
“Epoka e re”: I ka përfunduar mandati edhe kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së?
Daka: Edhe kjo çështje është bërë mediatike pa nevojë. Atij tashmë i ka kaluar kontrata dhe kemi kërkuar një opinion ligjor nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShC) sepse si KQZ kemi pasur hamendje nëse anëtarët të cilët nuk kanë punuar me kryeshefin ekzekutiv mund ta bëjnë vlerësimin vjetor për punën e tij. Varësisht prej opinionit të KPMShC-së do të veprojmë. Kjo është e tëra dhe nuk është ashtu siç po flitet në medie dhe siç i është dhënë një konotacion negativ. Përndryshe, KQZ-ja funksionon me kryeshef dhe pa kryeshef sepse janë rregullat se kush e zëvendëson në mungesë atë dhe nuk ka ngecje në atë drejtim.
Shqipe HETEMI