Organizohet aktiviteti “Ditët e Mjedrës” nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”
Në këtë ngjarje fushore u vlerësua angazhimi i madh i fermerëve, interesimi i rritur për kultivimin e mjedrës si dhe rritjen e konsumit vendor.
Fushata po shoqërohet me aktivitete të shumta siç janë donacione me sasi të mjedrave dhe boronicave të freskëta, zbritje promocionale, gara në vjelje etj.
Në Ballofc të Komunës së Podujevës, në kuadër të ditëve të mjedrës, sot u mbajt ngjarja “Dita e Mjedrës,” e organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”. Kjo ngjarje fushore theksoi angazhimin e madh të fermerëve, interesimin e rritur për kultivimin e mjedrës, dhe përparimin në rritjen e konsumit vendor përmes bujqësisë së kontraktuar.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vlerësoi kultivimin e mjedrës si një element strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai nënvizoi se ky frutë ka një potencial të madh për të krijuar mundësi të reja për kultivuesit dhe për të përmirësuar jetesën e qytetarëve që jetojnë në zonat rurale. Sipas ministrit, kultivimi i pemëve të imëta, sidomos i mjedrës, kërkon një kujdes të veçantë dhe klimë të favorshme, dhe Kosova ka shumë zona të përshtatshme për këtë qëllim.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, gjithashtu vlerësoi kultivimin e mjedrës si një histori suksesi për Kosovën. Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se nuk ka të bëjë vetëm me tokën, por edhe me njerëzit që e punojnë atë, duke e konsideruar kontributin e secilit individ si thelbësor për suksesin kolektiv.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, foli për ndihmën që komuna ka ofruar për kultivuesit e mjedrës, duke përmendur mbështetjen në fidane dhe forma të tjera për të zgjeruar sipërfaqet e mbjella, në kuadër të ndarjes së fondeve që jepen çdo vit për këtë qëllim.
Drejtori i Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, Kujtim Lepaja, shprehu mirënjohjen për punën e palodhshme të fermerëve dhe agrobizneseve të këtij sektori, duke përmendur sfidat e vështira që kanë sjellë ndryshimet klimatike këtë vit. Ai theksoi se edhe pse çmimet e mjedrave janë rritur për rreth 40% krahasuar me vitin e kaluar, sfida më e madhe ka qenë ndikimi i klimës, e cila ka prekur rëndë industrinë e mjedrës.
Në kuadër të fushatës “Ditët e Mjedrës,” janë organizuar aktivitete të shumta, përfshirë donacione me mjedra të freskëta për Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, zbritje promocionale për mjedrat vendore në “Fresco Bazaar,” si dhe përmes shitjeve online nga “Urban Berries.”
Pjesëmarrësit në ngjarje patën gjithashtu mundësinë të marrin pjesë në vjeljen e mjedrave dhe të vizitojnë ambientet e punës të kompanisë JONISH, një nga agrobizneset lidere në vend.
Projekti EREA implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.