Origjina e Covid-19: SHBA i kërkon Kinës të dhënat e personave të sëmurë në 2012 dhe në 2019
SHBA-të i kanë kërkuar Kinës publikimin e të dhënave mjekësore të 9 personave që u sëmurën me një sëmundje të ngjashme me koronavirusin para shpërthimit të virusit. Anthony Fauci, zyrtari i lartë amerikan u shpreh se të dhënat mund të tregonin “nëse Covid-19 u prodhua ose jo në laborator”, raportoi AFP, të premten.
Teoria e “prodhimit dhe daljes së virusit nga laboratori i Vuhanit” ka filluar të forcohet, pas raporteve të gjashtë minatorëve, të cilet u sëmurën në 2012 dhe tre studiues nga Instituti i Virologjisë Wuhan, të cilët u sëmurën në 2019 pasi vizituan një shpellë lakuriqësh në provincën jugperëndimore të Kinës Yunnan.
Në një intervistë me The Financial Times të Enjten, këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit të SHBA Joe Biden tha se të dhënat mund t’i përgjigjen pyetjeve mbi origjinën e diskutueshme të Covid-19 në Vuhan, ku filloi pandemia, e cila vrau mbi 3,6 milion njerëz në të gjithë botën.
“Unë do të doja të shihja të dhënat mjekësore të tre personave që raportohet se u sëmurën në 2019,” tha Fauci. “A u sëmurën vërtet, dhe nëse po, me çfarë u sëmurën?. “E njëjta gjë me minatorët që u sëmurën vite më parë … Çfarë thonë të dhënat mjekësore të atyre njerëzve?” pyeti ai.
“Është plotësisht e mundshme që origjina e Covid-19 ishte në atë shpellë, por përhapja mund të ketë nisur të përhapet natyrshëm ose nga laboratori”, u shpreh Fauci.
Kina e ka hedhur poshtë plotësisht teorinë e daljes së virusit nga laboratori dhe në vend të kësaj ka akuzuar SHBA-të për komplote dhe politizim të pandemisë për të larguar vëmendjen nga nivelet e larta të vdekjeve atje.
Teoria e origjinës natyrore u mbështet nga një ekip ekspertësh i OBSH-së, të cilët thanë sevirusi u shfaq te lakuriqët e natës më pas kaloi tek njerëzit, me gjasa përmes një kafshe ndërmjetësuese.
Por, shkencëtarët ende nuk kanë gjetur një virus në lakuriqët e natës ose në një kafshë tjetër që përputhet me të dhënat gjenetike të Covid-19.
Biden javën e kaluar urdhëroi agjensitë e inteligjencës amerikane t’i raportonin atij në tre muajt e ardhshëm nëse virusi Covid-19 u shfaq për herë të parë në Kinë nga një burim kafshësh apo nga një aksident laboratorik.