Orlando surprizon Clippersat
Surprizën e madhe në mbrëmjen e NBA-s e bëri Orlando Magic që triumfoi brenda në “Staples Center” përballë Los Angeles Clippers me rezultatin 103-96.
Pas gjashtë fitoresh radhazi kalifornianët u ndalën përballë një kundërshtari të dobët si Orlando që aktualisht pozicionohet në vendin e parafundit në Konferencën e Lindjes. Më i miri mbi parket ishte ylli i Clippers Kawhi Leonard i cili shkëlqeu me 28 pikë pesë rebound dhe pesë asistime të pamjaftueshme gjithsesi për të evituar disfatën e skuadrës nga Los Angelesi që pësoi kështu humbjen e 17-të sezonale. Te skuadra nga Florida ai që spikati më shumë ishte Okeke me 28 pikë, raporton “Supersport”.
Pësoi humbjen e dytë rresht Philadelphia 76ers. Skuadra nga Pensylvania u mposht edhe në Colorado nga Denver Nuggets me rezultatin 104-95. Diferencën Nuggets e bënë që në periodën e parë të cilën e mbyllën në avantazhin e 22 pikëve dhe më pas arritën të menaxhonin rezultatin. Murray, Porter dhe Jokiq e bënë siç duhet punën e tyre për skuadrën nga Colorado duke realizuar respektivisht 30, 27 dhe 21 pikë me serbin Jokiq që kontribuoi edhe me 10 rebound e pesë asistime. Denveri me këtë fitore u ngjit në vendin e 5-të në konferencën e Perëndimit, ndërkohë që Philadelphia pësoi humbjen e 17-të sezonale dhe rrezikon vendin e parë në Lindje, pozicion të cilin tashmë e ndan me Brooklyn Nets.
Një humbje deri diku të pritshme pësoi Washington Wizards në shtëpi nga Charlotte Hornets me rezultatin 104-114 ku 30 pikët e japonezit Hachimura ishin të pamjaftueshme për skuadrën kryeqytetase. Nuk di të ndalet ndërkohë Phoenix Suns që regjistroi fitoren e 6-të në 7 ndeshjet e fundit pasi mposhti 117-110 Atlanta Hawks në Talking Stick Resort Arena në Arizona.
Davon Booker me 21 pikë dhe kroati Sariq me 20 pikë, bënë të pavlefshme edhe 22 pikët e Bogdanoviq për Atlantën.