Ortakja e kallxon Gani Jakupin në Krime Ekonomike – thotë se mashtroi, shpërlau para e falsifikoi dokumente me OJQ-në e tyre
Gani Jakupi, ish-konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel, i cili vitin që shkoi mori kontratë nga MPJD me vlerë 90 mijë euro, është denoncuar në polici nga Majlinda Bregasi, bashkëpunëtore dhe bashkëthemeluese e një OJQ-je, Institutit për Art-ProARTE Institute (PART).
Bregasi e ka denoncuar Jakupin nën dyshimin për disa vepra penale në Departamentin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai është kallëzuar penalisht për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i KPRK-së, shpëlarje parash. Shmangie nga tatimi, mashtrim, konflikt interesi, falsifikim i dokumentit zyrtar.
Në kallëzim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Gani Jakupi në cilësinë e bashkëthemeluesit të OJQ-së, Institutit për Art-ProARTE Institute.
Aty pretendohet se Jakupi i ka keqpërdoru dhe tejkaluar autorizimet, duke i shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme mundësitë lidhur me pozitën e tij zyrtare apo autorizimet si bashkëthemelues i Institutit.
“I dyshuari ka ka përdorur kundërligjshëm autorizimet e tij si person zyrtar në kundërshtim me interesat dhe qëllimet për të cilin janë dhënë këto autorizime. Me këto veprime i dyshuari i ka shkaktuar dëme të mëdha materiale të dëmtuarës, OJQ-së dhe buxhetit të Republikës së Kosovës.”, thuhet në kallëzimin penal.
Po ashtu aty potencohet se ekziston dyshim i bazuar se Gani Jakupi në cilësinë e bashkëthemeluesit të OJQ-së, i ka falsifikuar dokumentet e OJQ-së dhe të njëjtat i ka dorëzuar në institucionet publike me rastin e aplikimit për projekte të caktuara.
“Po ashtu dokumentet e falsifikuara i ka përdorur me rastin e nënshkrimit të kontratave me institucione publike, ku nga këto kontrata i dyshuari ka përfituar dhjetëra mijëra euro.”, thuhet tutje në kallëzim.
Gani Jakupit, jeton në Barcelonë të Spanjës, ndërsa për një vit mori mbi 7 mijë euro në muaj si konsulent për lobim kryesisht në tri vendet e Beneluksit.
Objekti i kontratës që bëri bujë, ishe ofrimi i shërbimeve të konsulencës, këshillimit dhe aktiviteteve të ngjashme me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksenburg). /Reporteri.net/.