Ortopedia bëhet me klinikë të re, ministri Vitia: Janë investuar 2.5 milionë euro (foto)
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, kanë përuruar Klinikën e re të Ortopedisë.
Fillimisht, Vitia dhe Azizi kanë vizituar dhomat dhe sallat operative të kësaj Klinike me ç’rast është bërë se kostoja totale e investimit është 2.5 milionë euro, ku janë rinovuar 3 500 metra katror me 22 dhoma dhe 44 shtretër.
“Përuruam këtë klinikë moderne prej 3 500 metra katror, me 22 dhoma dhe 44 shtretër që do të thotë se nga dy pacientë nëpër dhoma. Dhomat janë me klimatizim, me mekanizëm të thirrjes së infermierëve dhe mjekëve”.
“Me komplet pjesën digjitale e cila do të mundësojë edhe për pjesën operative se si dhe çfarë është duke u bërë dhe cili mjek është duke operuar. Jam i lumtur që kjo klinikë me 2.5 milionë euro po hapet e që është në shërbim të pacientëve”, ka thënë Vitia, duke shtuar se do të vazhdojnë të investojnë në spitalet regjionale.
“Shumë shpejtë do të fillojmë në spitalet regjionale në mënyrë që pacientët nga regjionet tjera të kenë mundësi të njëjtat shërbime t’i marrin afër qytetarëve të tyre në mënyrë që mos të ketë nevojë të bëhen tollovi, që nganjëherë bëhet në QKUK për shkak të mungesës së këtyre shërbimeve”, ka thënë Vitia.
Ndërsa drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavit Gashi, ka thënë se zhvendosja e pacientëve do të bëhet nga java e ardhshme.
“Puna në bllokun operativ veçse është duke u punuar, ndërsa zhvendosja e pacientëve në pjesën e vjetër të Klinikës Kirurgjisë do të bëhet në javën tjetër”, ka thënë Gashi. /EO