Osa: Do të angazhohemi që ta sjellim trofeun e parë në Rahovec
KH Rahoveci ka dominuar në stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll.
Rrjedhimisht është pretendent i fuqishëm për ta fituar Kupën e Kosovës.
Fillimisht të shtunën nga ora 20:00, “vreshtarët” përballen me Besa Famgasin në gjysmëfinale. Kapiteni i Rahovecit, Ardian Osa, është i matur në parashikime.
“Kualifikimi në ‘Final Four’ të Kupës ishte padyshim një nga objektivat minimale të këtij edicioni. Por tani jemi në një fazë delikate. Mund të luash një stinor perfekt, por në ditën vendimtare mos të jesh në formë dhe e gjitha shkon poshtë. Në ‘Final Four’ kemi tre kundërshtarë të denjë. Besa Famgas është skuadra dominuese e dekadës së fundit; Trepça është fituese e edicionit të kaluar; Kastrioti është skuadra më e përforcuar në janar. Po përgatitemi maksimalisht dhe do të angazhohemi për çdo top e në çdo cep të parketit për ta sjellë trofeun e parë në Rahovec”, ka thënë Osa.