OSBE-ja i dhuron policisë mjete të specializuara të ndihmës së parë
Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka dhuruar Policisë së Kosovës 30 çanta me mjete të specializuara të ndihmës së parë.
Këto mjete do të përdorën nga Njësia për Operacione Speciale dhe ajo për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës.
Sipas OSBE-së, çantat përmbajnë mjete të cilësisë së lartë dhe do të shfrytëzohen nga njësitë për t’u dhënë ndihmën e parë policëve të lënduar në detyrë.
Ambasadori i OSEB-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se njësitë speciale dhe ato të reagimit të shpejtë janë të ekspozuara ndaj rrezikut.
“Puna e policisë është e vështirë dhe herë pas here edhe e rrezikshme, prandaj është shumë e rëndësishme që ata që i ekspozohen një rreziku të tillë ta dinë që e kanë përkrahjen dhe mjetet e nevojshme për ta kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Braathu gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të këtyre mjeteve.
Ndërsa nënkolonel Neshat Flugaj, drejtor i Divizionit të Njësive Speciale të Policisë, ka thënë se ky donacion është një hap para në drejtim të përmirësimit të sigurisë së policëve.
Misioni i OSBE-së ka dhuruar edhe 2 mijë karta informative të sigurisë, të cilat mund t’ju shpërndahen gazetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organeve mbikëqyrëse të policisë të pranishëm në tubime publike.