OSBE-ja i kërkon Kosovës më shumë angazhim në luftimin e korrupsionit
Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Jan Brathu, ka thënë se Kosova ka bërë disa përparime në luftimin e korrupsionit, por shtoi se në këtë drejtim duhet bërë më shumë.
Në konferencën “Korrupsioni i nivelit të lartë”, të organizuar nga OSBE-ja, Brathuu ka potencuar faktin se ka pasur më pak procese gjyqësore të rasteve për abuzim me pozitën zyrtare.
Mirëpo kjo sipas tij ka ndodhur për faktin se institucionet nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të ndjekur këto raste.
“Më 2018, në gjykata kanë qenë 774 raste të ndërlidhura me korrupsionin. OSBE-ja ka monitoruar 328 raste gjyqësore, që prej 2016 deri tani. Sipas vëzhgimit tonë, bazuar në rastet ku janë përfshirë persona të akuzuar për abuzim të pozitës zyrtare ka rënë nga 168 raste më 2016, në 122 raste më 2018. Por, kjo rënie, fatkeqësisht nuk do të thotë se është arritur sukses në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, por mund të lë të kuptohet se ka pasur përpjekje të pamjaftueshme nga institucionet e rëndësishme për të ndjekur raste të tilla”, ka thënë Braathu.
Shefi i OSBE-së në Kosovë, po ashtu ka thënë se nuk duhet të ketë mosndëshkim për korrupsionin, duke shtuar se korrupsioni i nivelit të lartë minon besimin në institucionet e shtetit.