OSBE-ja i përgjigjet Metës: Dialogu, vetëm me pëlqimin e të gjitha palëve
Në ditët e fundit të muajit korrik u bë publike një letër që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ia kishte drejtuar OSBE-së për të ndërhyrë, në mënyrë që ta zgjidhë krizën aktuale politike në vend.
Këtë të mërkurë, presidenti Meta ka marrë një përgjigje nga OSBE-ja.
Në letër vlerësohet besimi që Meta kishte tek institucioni i OSBE-së, por theksohet se lehtësimi i dialogut mund të jetë i suksesshëm vetëm me pëlqimin dhe pjesëmarrjen e të gjitha palëve përkatëse përmes një procesi të gjerë kombëtar.
Më tej në letër shkruhet se: “OSBE-ja dhe institucionet e saj, brenda mandateve të tyre, do të jenë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për një proces të tillë gjithëpërfshirës. Një mbështetje e tillë mund të përqendrohet për shembull në propozime për reforma konkrete, siç është reforma zgjedhore”.