OSBE-ja inkurajon të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptas të bëhen pjesë e policisë
Në Vushtrri është mbajtur të enjten punëtoria treditore orientuese për 60 të rinj rom, ashkali dhe egjiptas e organizuar nga misioni i OSBE-së, Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës që ka pasur për qëllim njoftimin e tyre me punën e policisë dhe përfitimet e të qenit pjesë e policisë.
Punëtoria i paraprin shpalljes së konkursit për oficerë të rinj që pritet të hapet muajt e ardhshëm dhe ka pasur për synim inkurajimin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve t’i bashkohen policisë.
Pjesëmarrësit (18-30 vjeç) mësuan për kriteret e përzgjedhjes për t’u bërë oficer policie; për testet që duhet t’iu nënshtrohen si testi me shkrim, fizik e psikologjik; dhe morën pjesë në intervista të simuluara për punë.
“Përkundër mekanizmave të ndryshëm për promovim të mundësive të barabarta në legjislacionin e policisë, përfshirja e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve mbetet sfidë”, ka thënë Shpresa Muharremi nga misioni i OSBE-së.
Ajo ka thënë se duan të shohin më shumë pjesëtarë të komuniteteve në uniforma të policisë. “Kjo do ta bënte policinë një forcë më diverse dhe do ta rriste besimin e komunitetit në polici”, është shprehur Muharremi.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u njohën edhe me ligjin për policinë, trajnimin dhe kurrikulën bazë, policimin në komunitet, parimet kryesore të policimit demokratik dhe rregulloret e brendshme administrative.
/Epoka e re/